Përfaqësuesja e Përhershme e Shteteve të Bashkuara në NATO, Julianne Smith, në një intervistë për Shërbimin për Ballkanin të Radios Evropa e Lirë, rikonfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Kosovës në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s. Ajo, megjithatë, paralajmëroi se një vendim i mundshëm për këtë merret me konsensus, ku votojnë edhe ato vende që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Ambasadorja Smith, po ashtu, konfirmoi se aleanca veri-atlantike është e shqetësuar për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, pas shpërthimit të luftës së Rusisë në Ukrainë.
Smith konfirmoi se edhe situata në Bosnje dhe Hercegovinë do të diskutohet në samitin e ardhshëm të NATO-s, i cili do të mbahet mes 28 dhe 30 qershorit në Madrid.
Ajo theksoi se anëtarët e NATO-s janë në kontakt të vazhdueshëm me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut për të parandaluar ndikimin e mundshëm rus në këto vende.
Ambasadorja Smith ka folur veçanërisht për përpjekjet e Aleancës për të kapërcyer kundërshtimin e Turqisë ndaj anëtarësimit të mundshëm të Suedisë dhe Finlandës në NATO. Dy vendet skandinave kanë nisur procesin e anëtarësimit në Aleancë, duke hequr dorë nga neutraliteti i tyre ushtarak prej dekadash, pasi Rusia pushtoi Ukrainën fqinje.
Radio Evropa e Lirë: Samiti i NATO-s në Madrid do të zhvillohet pas disa javësh dhe megjithëse ishte planifikuar shumë më herët, agjenda është subjekt i ngjarjeve të fundit. Dhe, nuk po flas vetëm për luftën në Ukrainë, por edhe për diçka që ishte e paimagjinueshme vetëm disa muaj më parë. Këto janë dy vende neutrale që aspirojnë të anëtarësohen në NATO. A është i mjaftueshëm afati për nënshkrimin e marrëveshjes në Madrid për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO?
Julianne Smith: Siç e dini mirë, ne kemi një anëtare të Aleancës (Turqia), e cili doli dhe shprehu shqetësimin për kërkesën e Suedisë dhe Finlandës për t’u bashkuar me Aleancën. Aktualisht, po kërkojmë mënyra për t’i zgjidhur këto probleme. Për fat të mirë, Aleanca ka një histori të gjatë në trajtimin e situatave të tilla, ku një aleat vjen në tryezë dhe ka një shqetësim apo çështje që dëshiron të ngrejë. Prandaj, ne shpresojmë se do të jemi në gjendje ta zgjidhim këtë, se do ta kapërcejmë këtë dhe se Finlanda dhe Suedia përfundimisht do t’i bashkohen kësaj aleance gjatë këtij viti.