Cedomir Jovanoviç ka qenë një nga zërat e fuqishëm kundër politikës serbe të viteve ’90 si një nga udhëheqësit e protestave studentore dhe të bllokut demokratik.
Gazetari: Keni thënë që Serbia ka kapitulluar në Kosovë…
“Natyrisht. Kapitullimi ka qenë njësoj si gjermanët në vitin ‘45 kur fillimisht kapitulluan te amerikanët dhe më pas arriti Zhukovi dhe u tha ejani sërish dhe kapitulluan edhe për rusët”.
Gazetari: Kosova e pavarur apo jo, si ta quajmë këtë në Serbi?
“Si mund të quhet kur ushtrinë e huaj e lejon të hyjë në territorin tënd dhe ti tërhiqesh përgjithmonë nga atje?
Gazetari: A është Serbia e gatshme që vërtetë të bëjë një marrëveshje përfundimtare?
“Nuk është e gatshme, ashtu siç nuk është e gatshme as Kosova”.
Jovanoviç, një nga bashkëpunëtorët e Kryeministrit të ekzekutuar Zoran Gjingjiç, thotë se Rusia është ajo që e pengon marrëveshjen ndërsa Shtetet e Bashkuara nuk janë treguar koherentë.
“Rusët nuk do ta lejojnë konsolidimin e kësaj pjese të Evropës. Kjo nuk është në interesin e tyre. Kjo është politika e tyre. Rusëve duhet t’ua kesh frikën, këtyre të tjerëve nuk mund t’u besosh. A ishte Hojt Ji, pastaj Mitchell, Palmer, pastaj Grenell, pastaj histori në vete e gjithë kjo ngjarje, nuk dimë me kë jemi duke biseduar”?
Jovanoviç këmbëngul se Serbia duhet ta kishte njohur Kosovën, por ka humbur disa shanse për zgjidhje që nga viti ‘99, me Rambujenë dhe më pas me planin e Ahtisarit.”



