Joseph: Trump në pozitë unike për ta përmbyllur dramën në Ballkan me anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë në NATO

Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins dhe ekspert i çështjeve të Ballkanit Perëndimor tha pas dëshmisë së tij në Kongresin Amerikan se kushti kryesor i papërmbushur për stabilitet real dhe të qëndrueshëm është që Serbia ta pranojë rendin perëndimor për rajonin.

Para Nënkomitetit për Europën të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, në seancën dëgjimore me temën “Pikë e nxehtë: Rruga drejt stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, në fillim të dhjetorit, Joseph paraqiti vlerësime mbi rolin e Serbisë në stabilitetin rajonal, marrëdhëniet me Rusinë dhe hezitimin e Perëndimit.

Joseph tha në një intervistë për gazetën boshnjake “Avaz” se dëshmia e tij u përqendrua te paqëndrueshmëria në Ballkanin Perëndimor. Tha se

“Shtrova pyetjen thelbësore: pse ky rajon, ku SHBA, BE dhe NATO kanë ndikim vendimtar, vazhdon të jetë i paqëndrueshëm? Edhe pse asnjë aktor nuk mban përgjegjësi të plotë, theksova kushtin kryesor të papërmbushur për stabilitet real dhe të qëndrueshëm: që Serbia ta pranojë rendin perëndimor për rajonin. Kjo do të thotë që vendi më i madh, larg e më i madhi ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, më në fund t’i pranojë rezultatet e luftërave, pa kërkuar “kompensim” në Bosnjë e Hercegovinë, në Kosovë apo në Mal të Zi. Kjo do të thotë orientim drejt partneritetit strategjik me SHBA-në, Bashkimin Europian dhe, mbi të gjitha, NATO-n – e jo me Rusinë dhe Kinën apo aktorë të tjerë malinj”, tha ai.

Joseph tha se Administrata Trump “mund ta shfrytëzojë mundësinë që presidenti Biden e humbi” në lidhje me orientimin e Serbisë që ta pranojë rendin perëndimor për Ballkanin.

“Para së gjithash, siç kam theksuar në dëshminë në Kongres, SHBA duhet të mbetet e palëkundur në këmbënguljen që rusët të largohen nga NIS-i (Industria e Naftës e Serbisë). Biden mund ta kishte shtyrë Beogradin ta nacionalizonte NIS-in dhe të vendoste sanksione ndaj Rusisë, por priti deri në fund të mandatit të tij për të vendosur sanksione ndaj NIS-it”, tha ai.

Presioni tani është serioz, thotë Joseph, sepse “Serbia po mbyll rafinerinë e saj të vetme në Pançevë dhe po fillon të mbetet pa rezerva nafte”.

“Në seancë i bëra thirrje Kongresit dhe Administratës të qëndrojnë të vendosur dhe të mos bien pre e përpjekjeve ruse apo serbe për blerje kohe në lidhje me NIS-in. Nacionalizimi i NIS-it mund të shkaktojë një përçarje serioze mes Moskës dhe Beogradit, duke hapur rrugën për hapa të mëtejshëm”, tha ai.

Sipas Joseph, SHBA-ja “mund ta përmbyllë të gjithë dramën e papërfunduar të shpërbërjes së Jugosllavisë”.

“SHBA mund ta përmbyllë të gjithë dramën e papërfunduar të shpërbërjes së Jugosllavisë aty ku edhe filloi: në Kosovë. Siç kam shkruar muajin e kaluar në ‘SAIS Review’, presidenti Trump është në një pozitë unike për ta shtyrë Beogradin të angazhohet për anëtarësim në NATO, së bashku me Kosovën. Kjo do ta përfundonte bllokadën dhe do ta ndryshonte në mënyrë dramatike marrëdhënien e Serbisë me fqinjët – dhe, po aq e rëndësishme, me të kaluarën, përfshirë Srebrenicën. Dhe shtoj Zhepën, ku kam shërbyer në korrik 1995 me UNPROFOR-in”, tha ai.

Joseph tha se “e gjithë kjo është më reale sesa njerëzit e imagjinojnë”.

“Trump gëzon popullaritet të jashtëzakonshëm në Serbi dhe perceptohet si figurë e fortë, autoritare. Ndërsa serbët janë më të hapur ndaj NATO-s sesa mendohet – veçanërisht nëse Qeveria e Aleksandar Vuçiqit do ta ndryshonte narrativën. Në seancë përmenda hulumtimin më të fundit të IRI që tregon se gjysma e popullsisë së Serbisë ka qëndrim pozitiv ndaj NATO-s (duke dëshiruar të paktën ‘më shumë komunikim me NATO-n’). Teksti im në “SAIS Review” përmend edhe arsye të tjera pse Vuçiqi do ta shqyrtonte NATO-n – veçanërisht pasi Trump t’i ofrojë Kosovës rrugën drejt anëtarësimit në Aleancë”, tha ai.

Ai tha se Administrata e Joe Biden pati qasje të “pabalancuar” për Kosovën dhe Serbinë.

“Për shembull, në maj 2023, serbët sulmuan rëndë ushtarët e KFOR-it në Zveçan, në veri të Kosovës. Megjithatë, u ndëshkua vetëm Kurti, për vendosjen e kryetarëve të komunave (në zgjedhje që serbët i bojkotuan). Dy javë më vonë, Serbia rrëmbeu tre policë kosovarë nga territori i Kosovës, gjë që përbën shkelje serioze të detyrimeve formale të Beogradit ndaj NATO-s. Megjithatë, nuk pati asnjë ndëshkim për Beogradin. Dy muaj më vonë, në shtator 2023, vetëm Kurti u fajësua për mungesën e përparimit në dialogun me BE-në. Me një model të tillë, ku përgjegjësia i atribuohet ekskluzivisht Kosovës, nuk ishte surprizë që po atë muaj ndodhi një operacion shumë serioz në Banjskë. Tani SHBA ka pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën, ndërsa me Serbinë e vazhdon. Ndërkohë, kemi një rrëmbim të pretenduar të një qytetari të Kosovës me kombësi serbe, të marrë nga Kosova në Serbi. A do të përfundojë ky model sërish me dhunë të re?”.

Joseph foli edhe për Republika Srpskan, ndërsa e cilësoi atë si gabim kardinal të Marrëveshjes së Dejtonit.

“Siç kam theksuar, zyrtarët amerikanë e njohin këtë si gabim kardinal të Marrëveshjes së Dejtonit kur u thonë kosovarëve: ‘Mos u shqetësoni, nuk do të krijoni një republikë të re serbe kur të formoni Asociacionin e komunave me shumicë serbe’. Me këtë ata e pranojnë problemin e brendshëm që paraqet krijimi i RS”.