Johnny Depp mori një ovacion prej shtatë minutash në Festivalin e Filmit në Kanë të këtij viti, pavarësisht reagimit të ashpër për paraqitjen e tij.
Pas premierës së dramës biografike franceze “Jeanne Du Barry” gjatë natës së hapjes të ngjarjes të martën, Variety raporton se aktori u emocionua pasi të pranishmit shpërthyen në brohoritje të zgjatura për performancën e tij si Mbreti Louis XV.
Depp u pa i përlotur teksa i bëri me dorë audiencës që po duartrokitnin nga një ballkoni brenda Grand Theatre Lumiere.

Regjisorja dhe ylli i filmit, Maiwenn – e cila luan të dashurën e mbretit – thuhet se ka qarë teksa ka thënë në mikrofon: “Dua ta ndaj këtë moment me të dashurin tim, me producentin tim, me Le Pacte. Ishte një produksion që ishte i vështirë për t’u financuar… dhe dua ta ndaj këtë moment me të gjithë ekipin tim në teatër”.
Megjithëse qindra fansa që bërtisnin u shfaqën në festivalin vjetor të filmit në Jug të Francës me shenja mbështetëse dhe kërkesa për autograf, jo të gjithë ishin të kënaqur të shihnin Depp, 59 vjeç, atje.

Dalja shënoi paraqitjen e parë publike të kandidatit për “Oscar” që nga gjyqi i tij publik për shpifje kundër ish-bashkëshortes Amber Heard, e cila e akuzoi atë për abuzim.
Shoqja e ngushtë e yllit të “Aquaman”, gazetarja Eve Barlow – me të cilën ajo tani jeton në Spanjë – kritikoi ata që ishin përgjegjës për ngjarjen për “historinë e tyre të mbështetjes së përdhunuesve dhe abuzuesve”.

Por regjisori i Kanës, Thierry Fremaux mbrojti vendimin e tij për të përfshirë Depp në festival dhe për të hapur filmin e tij, duke pranuar se ai nuk i kushtoi vëmendje problemeve ligjore të aktorit.
“Unë nuk e di për imazhin e Johnny Depp në SHBA”, tha ai gjatë një konference për shtyp, sipas Deadline.