Joe Biden: SHBA do të dërgojë më shumë artileri në Ukrainë

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka thënë se SHBA do të dërgojë më shumë sisteme artilerie në Ukrainë në mes të një ofensive të ripërtërirë ruse në lindje.

Që nga fillimi i administratës së Joe Biden, SHBA-ja ka ofruar 3.2 miliardë dollarë ndihmë sigurie për Ukrainën, duke përfshirë 2.6 miliardë dollarë që nga fillimi i konfliktit më 24 shkurt.

“Ajo që ne kemi bërë këtu është… pikërisht ajo që do të bënte presidenti që nga fillimi. Që është të [sigurojmë] ndihmë të konsiderueshme sigurie, ndihmë ekonomike dhe mbështetje për popullin ukrainas”, ka thënë të hënën sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki, përcjell Telegrafi.

“Dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë pikërisht këtë”, ka shtuar ajo.

Ndërkohë, në drejtim të “mbështetjes” për Ukrainën, një ndihmë, edhe pse goxha më e vogël vjen edhe nga Republika Çeke e cila ka thënë se do të riparojë tanket ukrainase dhe transportuesit e blinduar të personelit të dëmtuar në luftime.

Ministrja çeke e Mbrojtjes, Jana Cernochova ka thënë se Republika Çeke ishte vendi i parë që iu kërkua nga Ukraina për shërbimin dhe riparimin e automjeteve luftarake.

Seznam tha se automjetet do të riparoheshin gjithashtu në fqinjin e Ukrainës, Sllovaki.

Republika Çeke ishte vendi i parë i huaj që furnizoi Ukrainën me tanke – T-72 të epokës sovjetike – si dhe automjete luftarake të këmbësorisë BMP-1, që i përkisnin rezervave të saj aktive.