Jegunoc, kryetari i komunës ua ndalë ujin banorëve të Kopanicës

Që prej tre javësh mbi 500 banorë të fshatit Kopanicë të komunës së Jegunocit janë pa ujë të pijshëm, shkruan Alsat.

Banorët ankohen se për të siguruar ujë, bëjnë edhe nga dhjetë kilometra deri në afërsi të fshatit Përshevcë.

“Dy javë jemi pa ujë. Se di përse e kanë ndalë ujin. Ata kanë problemet e veta ne tonat, ja kështu. Jemi interesuar s`ka përgjigje asgjë. Kanë pasur mbledhje s’ka asnjë përgjigje. Krejt fshati është pa ujë”, tha një banor.

“Nuk bisedohet se nuk ka, edhe verës nuk ka mjaftueshëm. Mbushim ujë në Përshevçë atje, çka të bëjmë”, u shpreh një banor tjetër.

“Që prej verës nuk ka ujë. Aspak asnjë pikë uji s`ka. Nga sistemi i ri s`ka. Bëmë marrëveshje na thanë do ketë ujë po jo asgjë”, theksoi një banor.

Deri tek ndërprerja e ujit, ka ardhur si pasojë e mos pagesës së faturave të energjisë elektrike për pompat e sistemit të ujësjellësit që furnizon banorët.

Ndërprerjen e ujit e ka bërë komuna e Jegunocit.

GAZETARI: Pra ujin e ka ndërprerë komuna për banorët?

Dimitar Kostadinosk, Kryetar i komunës së Jegunocit: Po. Pra e kemi ndërprerë neve nga stacioni pompues, nga ku paguhet për energjinë elektrike të pompës. Kopanica ka për momentin ujë nga sistemi i vjetër.

Gazetari: Kryetar, a keni të drejtë sipas Ligjit të ndërpritni furnizimin e banorëve me ujë?

Dimitar Kostadinosk, Kryetar i komunës së Jegunocit: Jo nuk kemi të drejtë!

Gazetari: A jeni i vetëdijshëm se bëni shkelje të Ligjit?

Dimitar Kostadinosk, Kryetar i komunës së Jegunocit: Jo nuk jam. Por unë mendoj se edhe ata s`janë të vetëdijshëm se ujin duhet ta paguajnë”.

Gazetari: A jeni i vetëdijshëm së mund të përgjigjeni penalisht për këtë gjë.

Dimitar Kostadinosk, Kryetar i komunës së Jegunocit: Po e di dhe do përgjigjem! Plus uji që është në sistem nuk është i lejuar për pije. Ne mbajtëm mbledhje i thirra bashkësitë lokale, priftërinjtë e hoxhallarët dhe u pajtuam që nga nesër të dalim në terren për të mbledh të holla ti paguajnë faturat e ujit dhe të fillojmë të vendosim orëmatësit.

Fshati Kopanicë, nuk është vendbanimi i vetëm i kësaj komune, që ka mungesë të ujit për pije. Në gjendje të njëjtë janë edhe disa fshatra të tjerë, të cilët, deri në vendosjen e orëmatësve për ujin e harxhuar, sipas komunës, do të kenë kufizime të ujit për pije./ Alsat.mk