Javën e ardhshme mbi 40 punonjësve në Gjinekologjinë e Çairit pritet tu vazhdohen kontratat e punës

Gjatë javës së ardhshme pritet tu vazhdohen kontratat e mbi 40 punonjësve shëndetësorë në Klinikën e Gjinekologjisë në Çair. Megjithatë, për dhjetëra punonjës të tjerë në institucione të ndryshme shëndetësore, ende nuk ka asnjë afat konkret se kur do të zgjidhet kjo çështje.

Nga Ministria e Financave thonë për Alsat se pa precizuar se kur do të zgjidhet fati i punonjësve të tjerë shëndetësore, shkurt thonë se për të gjitha kërkesat e dorëzuara tek ta, do të veprojnë në bazë buxhetit dhe afateve të parashikuara ligjore.

As Ministria e Shëndetësisë nuk jep përgjigje konkrete se kur do të merr fund pasiguria për këta punonjës, shumica prej të cilëve me përvojë mbi 10 vjeçare. Nga kjo ministri thonë se procesi për vazhdimin e kontratave është ende në rrjedhë, pa dhënë afate dhe pa sqarime të mëtejshme.

“Është në vijim procedura për vazhdimin e kontratave të punës së punonjësve shëndetësorë në disa institucione publike shëndetësore, përfshirë edhe Klinikën e Gjinekologjisë në Çair. Pas përfundimit të procedurës ligjore, në të cilën janë të përfshirë disa institucione kompetente, do të informojmë më konkretisht lidhur me këtë çështje”, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë .

Më herët, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska Koçoska deklaroi se përgjegjësia për mos vazhdimin me kohë të kontratave nuk qëndronte tek dikasteri i saj, por te Institucionet që, sipas saj, i kishin dorëzuar kërkesat në ditët e fundit të vitit. Pos në Çair, me problem të ngjashëm përballen edhe mbi 130 të punësuar në Spitalin Klinik të Tetovës. /Alsat.mk