Çmimet e produkteve që qytetarët i kanë paguar në fund të vitit dhe në fillim të këtij do të analizohen nga Ministria e Ekonomisë, thotë ministri Besar Durmishi. Qëllimi, siç thotë ai, është të shihet nëse ka pasur rritje çmimesh dhe sjellje devijante nga tregtarët, transmeton Portalb.mk.
“Javën tjetër do të analizojmë të dhënat e çmimeve nga ditët e fundit të dhjetorit dhe ditët e para të janarit dhe do të informoheni nëse ka sjellje devijante nga tregtarët apo rritje çmimesh”, tha sot Durmishi.
Ai shtoi se pasi të bëhen analizat dhe të shihet nëse pretendimet për çmime më të larta janë të vërteta, do të informojnë se si do të vazhdojnë.
Deklarata e Durmishit vjen pasi para festave të Vitit të Ri, qytetarët reaguan se çmimet e produkteve në markete janë shumë të larta.
Ata kërkuan “shportë të Vitit të Ri” ose disa masa të tjera për ndërhyrje në çmime, por më pas kryeministri Hristijan Mickoski tha se masa të tilla nuk do të futen.
Sipas tij, të gjitha aspektet po analizohen, por ai beson se çdo ndërhyrje do të thotë vetëm transferim në muaj të tjerë.
“Po, ndoshta në ato muaj do të ketë çmim më të lirë, por tregtarët më vonë e transferojnë atë në muajt pasardhës dhe në fund çmimi neto që paguajnë qytetarët është më i lartë. Kjo është analiza që kemi bërë, e cila është rezultat i këtyre shportave. Dhe, jo vetëm këtu, të gjitha ato vende që kanë aplikuar një analizë të tillë kanë arritur në atë përfundim. Ajo që është e rëndësishme për ne të bëjmë është të dalim në terren dhe kjo është ajo që po bëjmë”, tha Mickoski në fillim të dhjetorit.
Pritjet e tij ishin që çmimet të stabilizoheshin në muajt në vijim, por nëse kjo nuk ndodh, ai tha se do të “shkonin një hap më tej”.
Përndryshe, javën e kaluar Enti Shtetëror i Statistikave publikoi të dhënat e fundit mbi qarkullimin në tregtinë me pakicë të ushqimit, pijeve dhe duhanit në nëntor të vitit të kaluar.
Sipas raportit statistikor, në nëntor, shkalla reale e qarkullimit për ushqim, pije dhe duhan u rrit me 6.5 përqind krahasuar me të njëjtin muaj në vitin 2024. Nominalisht, kjo rritje është 13.7 përqind.
Kujtojmë se ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmish dy javë parë tha se çmimet e produkteve nuk janë të larta, por ky është vetëm prceptim i qytetarëve.
“Sa u përket të gjithë artikujve ushqimor, në bazë vjetore gjendja është stabile. Është ai perceptim i qytetarëve që çmimet janë shtrenjtuar. Në bazë të fakteve dhe argumenteve, ne veprojmë. Nëse do të hasim në rritje drastike të çmimeve, posaçërisht në festat e fundvitit ne do të veprojmë”, tha Durmishi.
Ndërkohë kujtojmë se vlera e shportës minimale sindikale të llogaritur nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) për dhjetor është 65.492 denarë dhe është për 319 denarë më e lartë se shporta minimale për muajin e kaluar kur ishte 65.173.
Sipas llogaritjeve të LSM-së, në dhjetor nevojiten 23.640 denarë për ushqim dhe pije, 7.159 denarë për arsim, 6.130 denarë për qira, ujë, energji elektrike dhe ngrohje, 5.875 denarë për veshmbathje, 4.636 denarë për transport, 4.131 denarë për restorante dhe hotele, 3.417 denarë për komunikim dhe 2.620 denarë për higjienë personale dhe mirëmbajtje të higjienës në shtëpi.




