Ishte befasia e radhës nga Kombëtarja Shqiptare, por Jasir Asani kishte 7 vjet që priste të realizonte ëndrrën e tij që nga fëmijëria – të bëhet pjesë e Kombëtares Shqiptare.
Për këtë dashuri të madhe, ai kishte refuzuar edhe Kombëtaren e Maqedonisë së Veriut, ku edhe ka lindur dhe rritur.
Megjithatë, erdhi triumfi dhe Asani tashmë po jeton ëndrrën e tij.
Ai së fundmi është shpallur edhe “Nderi i kombit” në futboll nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Për këtë ai foli në emisionin e pasdites në TV21 – “Pastel”.
“Është një emocion shumë i veçantë, sepse do të mbahet mend gjithmonë. Ishte një mbrëmje shumë e mirë. Unë jam më i lumtur kur i shoh tifozët e lumtur për atë çfarë kemi arritur me kombëtaren. Kjo më bën që të jem më emocional, të jem më i mirë në fushë dhe të jap akoma më shumë kombin”, tha Asani.
Shtoi se “për kombëtaren duhet ta japim jetën”.
Asani në “Pastel” ka folur edhe për fillimet e tij te “Vardari” dhe për përvojën te “Shkupi”.
Kërkon nga mediat dhe personat me ndikim në Maqedoninë e Veriut që sa më shumë t’i mbështesin futbollistët, pasi siç thotë “ai ia doli vetë”./TV21