Jasharaj i përgjigjet Nagavcit për testimin e mësimdhënësve: Nënçmim dhe ofendim ndaj tyre

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka folur në lidhje me paralajmërimin e Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci për testimin e mësimdhënësve.

Ai ka thënë se si sindikatë do të reagojnë dhe do t’a kundërshtojnë një gjë të tillë.

Jasharaj u shpreh se një gjë e tillë do të ishte nënçmim dhe ofendim ndaj tyre.

“Ne do të reagojmë dhe do ta kundërshtojmë sepse do të ishte nënçmim dhe ofendim për njohuritë që këta njerëz i kanë marrë duke kryer fakultete, Mastere, e duke u përgatitur për sektorin e arsimit”.

“Ne kemi instituar dhe insistojmë që të bëhet vlerësimi i punës së mësimdhënësve, duke dërguar inspektorët profesional”, është shprehur ai sonte përmes një lidhje direkte në “Info Magazine”.

Në konferencën për media të fundvitit, Nagavci ka thënë se ky testim do të mundësojë licencën e avancuar për mësimdhënësit, të cilët edhe do të paguhen nga Ministria e Arsimit në rast se tregohen të suksesshëm.

“Ne kemi paraparë edhe buxhetin i cili do të shfrytëzohet me qëllim të pagesës për mësimdhënësit të cilët do të avancohen pasi të përfundojnë suksesshëm licencimin e tyre, përfshirë edhe testimin”, ka thënë ministrja.

Ngavaci po ashtu ka bërë të ditur se po bashkëpunojnë me Shqipërinë për hartimin e udhëzuesit për realizim të këtij procesi.

“Jemi në proces të udhëzuesit që do të bëjë realizimin dhe jemi në bashkëpunim me Shqipërinë, synimi është që nga qershori ta fillojmë testimin e mësimdhënësve për licencë të avancuar”, është shprehur Nagavci.