Japonia mban funeralin e Shinzo Abe

4 ditë pas vrasjes së tij, trupi i ish-udhëheqësit japonez Shinzo Abe do të digjet në Sallën e Funeralit Kirigaya të Tokios.

Japonia po mban funeralin e Abe me të gjitha nderimet, ku fillimisht u zhvillua një ceremoni private nga familjarët dhe njerëz të afërt me ish-udhëheqësin. Ceremonia u zhvillua në tempullin Zojoji në Tokio, një strukturë shekullore me rëndësi historike dhe kulturore, që strehon varret e sundimtarëve ushtarakë të Japonisë nga periudha Edo.

Pas ceremonisë private kortezhi udhëtoi nëpër rrugët e kryeqytetit japonez, duke kaluar pranë ndërtesave të rëndësishme, duke përfshirë zyrën e Kryeministrit dhe ndërtesën e Parlamentit. Kur makina me trupin e Shinzo Abe ka mbërritur në zyrën e kryeministrit në Tokio, u prit me nderime nga  anëtarë të qeverisë japoneze, duke përfshirë kryeministrin Fumio Kishidan dhe ministrin e Mbrojtjes. Në fund kortezhi udhëtoi në Sallën e Funeralit Kirigaya ku do të digjet edhe trupi.

Me mijëra qytetarë u mblodhën në rrugët e Tokios, ku kaloi kortezhi për të nderuar ish kryeministrin Abe. Trumat kanë përcjellë me lot trupin e Abe duke duartrokitur dhe përkulur kokën në nder të tij.

Vrasja e Abe ishte veçanërisht tronditëse duke qenë se Japonia është një nga shtetet me nivelet më të ulëta të krimit me armë në botë dhe konsiderohet gjerësisht si një nga vendet më të sigurta.

Abe ishte një figurë jashtëzakonisht popullore dhe më jetëgjata në qeverisje.