Japonia dhuron aparat të ri ekografik për Spitalin e Përgjithshëm në Strumicë

Më 03 mars 2023, Ambasadori i Japonisë Sh.T. OTSUKA Kazuya nënshkroi marrëveshjen në kuadër të Grant programit për projekte të vogla dhe siguri njerëzore (GGP), me qëllim të përmirësimit të nevojave themelore njerëzore në Maqedoninë e Veriut.

Marrëveshja për grant është nënshkruar me ISHP Spitalin e Përgjithshëm Strumicë për furnizimin e aparatit ekografik 4D për repartin e Gjinekologjisë, në vlerë të përgjithshme prej 51,462 euro.

Ceremonina e nënshkrimit të projektit u hap nga zëvendës kryetarja e Komunës së Strumicës, znj. Elena Megjarovska Palikarova, ndërsa marrëveshja u nënshkrua nga drejtoresha e ISHP Spitalit të Përgjithshëm Strumicë, Dr. Katerina Kuzmanovska, së bashku me ambasadorin e Japonisë Sh.T. Otsuka Kazuya.

“Aparati i ri ekografik do të mundësojë mbrojtjen më të mirë shëndetësore të grave shtatzëna dhe të porsalindurve në spitalin tonë dhe më gjerë në rajonin juglindor”, theksoi drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm Strumicë, dr. Katerina Kuzmanovska.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, ambasadori Otsuka theksoi se: “Populli i Japonisë ndjehet i lumtur dhe krenar që ndihmon qytetarët e Maqedonisë së Veriut që të kenë kushte më cilësore shëndetësore.”

Zëvendës kryetarja znj. Elena Megjarovska Palikarova shtoi: “Shfrytëzoj këtë rast të mrekullueshëm për të falënderuar Japoninë mike, Ambasadën e Japonisë në Maqedoninë e Veriut dhe Sh.T. ambasadorin Otsuka Kazuya për këtë mbështetje të parë të realizuar nga programi GGP.”

Në kuadër të programit (GGP), Japonia ka financuar projekte për rinovim dhe sigurim të pajisjeve në më shumë se 74 shkolla dhe kopshte, 66 objekte shëndetësore dhe ka ofruar 35 automjete të specializuara për menaxhimin e mbetjeve dhe shërbimeve komunale për 51 komuna.

Japonia në vazhdimësi mbështet Maqedoninë e Veriut në sektorë të ndryshëm, si zhvillimi infrastrukturor, përmirësimi i shërbimeve shëndetësore, arsimi, mjedisi, kultura, ndihma gjatë fatkeqësive natyrore dhe krizave të refugjatëve, si dhe ndihma emergjente në vlerë prej më shumë se 423 milionë euro, si dhe ndihma të tjera jofinanciare.