Borxhi publik i vendit deri në fund të këtij viti pritet të arrijë në 60,9 për qind të Bruto Prodhimit Vendor (BPV), që në vlerë absolute do të thotë rreth 10,2 miliardë euro. Ndërkaq, në vitin 2026 borxhi publik parashikohet të rritet në 62 për qind të BPV-së, ose mbi 11,1 miliardë euro.
Këto të dhëna u bënë të ditura nga zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankulloski, në emisionin “Biznes21”.
Ai theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj konsolidimit fiskal dhe zbatimit të strategjisë fiskale, me synim që brenda disa viteve borxhi publik të ulet nën kufirin prej 60 për qind të BPV-së.
Sipas Jankulloskit, procesi për emetimin e euroobligacionit në vlerë prej 950 milionë eurosh është në zhvillim dhe planifikohet që ai të realizohet në janar të vitit 2026.
“Për vitin 2025 kemi planifikuar borxh publik prej 60,9 për qind, ashtu siç e kemi deklaruar që në fillim të vitit. Në vlerë monetare, deri në fund të vitit, me përfshirjen e tremujorit të katërt, borxhi do të arrijë në 10,2 miliardë euro. Për vitin 2026 parashikojmë 62 për qind borxh publik, që në shumë do të jetë rreth 11 miliardë e 164 milionë euro”, deklaroi Jankulloski.
Zëvendësministri konfirmoi gjithashtu se është përzgjedhur banka që do të financojë ndërtimin e hekurudhës së shpejtë nga Tabanovci deri në Gjevgjeli, projekt ky me vlerë rreth 2 miliardë euro. Megjithatë, ai nuk zbuloi emrin e bankës dhe as normën e interesit të kredisë.
“Bëhet fjalë për një bankë indikative, por ende jo për një ofertë përfundimtare dhe detyruese. Negociatat janë në zhvillim dhe, nëse përfundojnë me sukses dhe në interes të shtetit, atëherë do të kalojmë në fazën e ofertës finale, e cila do të prezantohet publikisht nga Ministria”, tha Jankulloski.
Ai shprehu optimizëm se bisedimet do të përmbyllen me sukses dhe se ndërtimi i hekurudhës së shpejtë pritet të nisë në mesin e vitit të ardhshëm.




