Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në emisionin “Click Plus” në TV21, deklaroi se aktualisht institucionet po veprojnë mbi kallëzimet për diploma të falsifikuara, duke theksuar se ligji në fuqi për momentin parashikon vetëm masa ndëshkuese. Ajo shtoi se së shpejti pritet të hyjë në fuqi Ligji i ri për Arsimin e Lartë, i cili do të mundësojë procedura të reja për trajtimin e këtyre rasteve.
“Gjatë gjithë kësaj periudhe kemi punuar për të përcaktuar disa fakte që kanë ndodhur në të kaluarën, por ka indikacione se raste të tilla po ndodhin edhe tani, megjithëse në një përqindje më të vogël. Më vjen keq të them se ligjet tona ekzistuese për arsimin e lartë kanë disa mangësi, të cilat nuk na lejojnë ta përmbyllim plotësisht këtë problematikë, ndonëse do të kishim mundësi. Kemi ndërmarrë hapa dhe aktualisht po veprojmë në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Arsimit, i cili, edhe jashtë planit të rregullt, po zhvillon një sërë hetimesh. Për momentin po punohet mbi kallëzimet e paraqitura dhe të gjitha ato që na janë dorëzuar janë proceduar. Ligji nuk është i qartë se si duhet vepruar pas përfundimit të procedurave. Një pjesë e madhe e rasteve janë zgjidhur me shqiptimin e masave ndëshkuese ndaj subjekteve që kanë kryer shkeljet. Në këtë proces do të duhet të përfshihet edhe Agjencia për Cilësinë e Arsimit të Lartë”, deklaroi Janevska.





