Janë larguar 194 automjete të parkuara në mënyrë jo të rregullt

Gjatë javës së kaluar me automjetin e posaçëm karrotrec janë larguar 194 automjete nga sipërfaqet publike në Qytetin e Shkupit.

Nga numri i përgjithshëm i automjeteve të parkuara në mënyrë jo të rregullt, 29 janë larguar nga parkingjet e zonave, ndërsa 165 automjetet tjera me urdhër të policisë së komunikacionit në bazë të kundërvajtjeve të kryera: parkimi nëpër rrugë, shtigje për biçikleta, vendkalime për këmbësorë, trotuare, sipërfaqe të gjelbërta, në kundërshtim me shenjat e komunikacionit, si dhe me thirrje nga personi i tretë.

Nga Qyteti i Shkupit informojnë se kontrolluesit e parkingjeve të zonave në periudhën e njëjtë kanë sanksionuar gjithsej 311 automjete, për shkak parkimit jo të rregullt, gjegjësisht për mospagesë të shërbimit të parkimit. Prej tyre 29 automjete janë larguar me shërbimin e karotrecit, për shkak tejkalimit të kohës së lejuar të qëndrimit në vend parkime.

Qyteti i Shkupit dhe ndërmarrja publike “Parkingjet e Qytetit” apelojnë që qytetarët ta ruajnë gjelbërimin dhe sipërfaqet tjera publike, ndërsa automjetet e tyre t’i parkojnë vetëm në vendet e shënuara për parkim. Njëkohësisht apelojnë të gjithë shfrytëzuesit e shërbimit për parkim, në kohë ta rregullojnë pagesën për parking shërbime, që të mos sanksionohen dhe të mos u vendoset bllokatorë nëpër goma.