Janari, muaji i dhunës familjare dhe seksuale

Në Maqedoninë e Veriut dhuna është normalizuar. Kështu thonë nga Rrjeti Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, duke përshkruar rastet e rënda të dhunës gjatë muajit janar 2026, transmeton Portalb.mk.

Edhe pse muaji nuk ka përfunduar ende, ai tashmë shihet si alarmues, me një sërë rastesh të rënda të dhunës familjare, ndaj partnerëve dhe dhunës seksuale, të cilat tregojnë qartë se dhuna gjinore në Maqedoninë e Veriut nuk është problem i thellë, i rrënjosur dhe kronik sistemik.

Vetëm në dy javët e para të muajit, publiku ishte dëshmitar i sulmeve brutale ndaj grave, rasteve serioze të dhunës seksuale ndaj fëmijëve, shfrytëzimit online të të miturve, konflikteve familjare që eskalonin në sulme fizike, kërcënimeve me vdekje dhe përdorimit të armëve brenda familjes.

“U shënuan edhe pasoja tragjike, përfshirë vrasjen e një nëne nga djali i saj, si dhe rastin e një gruaje që ndërroi jetë pasi u rrah brutalisht nga nipi i saj. Në të njëjtën kohë, u regjistruan raste ku baballarët kërcënonin bashkëshortet dhe vajzat me thikë, partneret u mbytën dhe u lënduan rëndë, gratë u sulmuan fizikisht nga bashkëshortët, dhe fëmijët u bënë objekt i abuzimit digjital përmes profileve të rreme dhe përmbajtjes eksplicite”, thonë nga Rrjeti.

Sipas tyre, ato që u panë në janar nuk janë incidente të izoluara. Ata thonë se të gjitha rastet janë një alarm se institucionet nuk veprojnë me kujdes të duhur për t’i mbrojtur viktimat në kohë, mungesa e trajtimit dhe sanksionimit të duhur të autorëve të dhunës e ruan dhe e rrit dhunën në vendin tonë.

“Veçanërisht shqetësues është fakti që një pjesë e konsiderueshme e rasteve të regjistruara deri tani në janar prek direkt fëmijët. Dhuna seksuale ndaj fëmijëve, qoftë në hapësirë fizike apo online, është një nga shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut dhe lë pasoja të përhershme në shëndetin e tyre mendor, zhvillim dhe ndjenjën e sigurisë”, thonë nga Rrjeti.

Nga atje rikujtojnë se Maqedonia e Veriut ende nuk ka vendosur sistem funksional dhe të qëndrueshëm të shërbimeve të specializuara për trajtim afatgjatë të viktimave të dhunës seksuale, që janë një detyrim ligjor i shtetit sipas Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje, i miratuar në janar 2021.

“Mungojnë shërbime të qasshme publikisht dhe të financuara qëndrorisht për mbështetjen e viktimave, duke përfshirë seanca të rregullta psikoterapeutike, mbështetje profesionale për përballimin e pasojave të traumës, ndihmë psikososiale të vazhdueshme dhe shërbime të lidhura ligjore dhe sociale. Deri sa këto shërbime të vendosen, viktimat e dhunës seksuale do të vazhdojnë të përballen vetë me pasojat e dhunës”, thonë nga Rrjeti.

Gjithashtu, thonë nga rrjeti, ngjarjet gjatë janarit tregojnë se dhuna po rritet gjithnjë e më shumë në hapësirën digjitale.

Për këtë arsye, ata kërkojnë urgjentisht ndryshime dhe plotësime të Kodit Penal, që të njihen dhe sanksionohen format e reja të dhunës digjitale dhe online të bazuar në gjini, shfrytëzimi seksual në hapësirën digjitale dhe abuzimi i teknologjive të reja dhe mjeteve AI për krijimin dhe shpërndarjen e përmbajtjeve abuzive.