“Jam me ilaçe qetësimi”/ Ish-ministri Mile Janakievski dërgohet në burgun e Idrizovës

Ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, i dënuar për “Titanik”, është dërguar në burgun “Idrizovë”. I pyetur Makfaks për gjendjen e tij shëndetësore, ai tha se është me ilaçe qetësimi, ndërsa shtoi se gjithçka do të kalojë dhe se më e rëndësishmja është që familja e tij të jetë mirë. Janakieski do të shkojë në burg, pasi Apeli ndryshoi disa aktgjykime për rastin “Titanik”, e disa i konfirmoi. Janakieskit dënimi në shkallë të parë i është ulur nga 4 vjet e 6 muaj në 3 vjet e 6 muaj. Ndryshe, ai e ka pranuar fajësinë për pothuajse të gjitha krimet që kanë të bëjnë me mashtrimin zgjedhor në rastin “Titanik”, përveç veprës së keqpërdorimit të mjeteve për financimin e një fushate zgjedhore, por më vonë prokuroria hoqi dorë nga ndjekja penale për këtë vepër. Ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, mori dënim me kusht nga Gjykata e Apelit, e cila e anuloi dënimin me burg të shkallës së parë prej 2 vjet e 5 muaj burg.