Ja objektivat që synojnë ndryshimet e ligjeve të reformës në Drejtësi

Kuvendi i Shqipërisë miratoi paketën me dhjetë ndryshime ligjore të reformës në Drejtësi
Propozimi për futjen në rendin e ditës së seancës së datës 22 mars 2021 të projektligjeve të reformës në Drejtësi erdhi nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Ndryshimet janë reflektim për problematikat e vërejtura përgjatë zbatimit në praktikë të ligjeve në fuqi nga organet gjyqësore si dhe reflektim i situatës së krijuar me vakancat në sistemin e gjyqësisë si pasojë e vetting-ut.
Gjithashtu ndryshimet përmes paketës lidhen me përbërjen e Gjykatës së Lartë dhe trupën gjykuese, shqyrtimin e ankimeve, paraqitjen dhe përmbajtjen e rekurseve, kundërrekursin, njësimin dhe ndryshimin e praktikës gjyqësore, procedimet paragjykimore, si edhe vendimet e Kolegjit Penal ose Kolegjeve të Bashkuara të GJL, përshpejtimin e gjykimit dhe shqyrtimin e dosjeve gjyqësore brenda afateve të arsyeshme.
Ndryshimet lehtësojnë tërësinë e ecurisë së proceseve dhe funksionalitetin e gjykatave apo përmbledhtas, garantojnë mirëfunksionimin e organeve të qeverisjes së sitemit të drejtësisë dhe roli i tyre në administrimit e sistemit.
Në Ministrinë e Drejtësisë grupi i punës i mbështetur nga misionet ndërkombëtarë, analizoi problematikat e sistemit deri tani dhe hartoi planin e veprimit.
Ky planveprimi shenjoi masat e nevojshme për zbatimin e plotë të reformës në drejtësi dhe funksionimin e sistmeit.
Këtu përfshihen masat me karakter organizativ, financiar, burimet njerëzore, dhe ndryshimet ligjore të nevojshme për t’i dhënë efektshmërinë e nevojshme në këto çaste zbatimit të reformës në Drejtësi.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj pati theksuar se grupi i punës u kujdes posaçërisht që shtyllat e reformës në Drejtësi si dhe parimet bazë mbi të ciulat u ngrit ajo, jo vetëm të mos cënoheshin, por të garantonin zbatimin më të shpejtë të saj.
“Në këtë mënyrë janë garantuar ndryshime që garantojnë rritjen e efiçencës të Gjykatës së Lartë, mirëfunksionimin e Gjykatave të Apelit, përshpejtimin e disa çështjeve në Gjykatën e Shkallës së Parë, garantimin e mirëfunksionimit të organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë dhe rolit të tyre në administrimin e sistemit”-tha zonja Gjonaj.
Gjithashtu ministrja Gjonaj nënvizoi shtimin e garancive që lidhen ngushtësisht me statusin e magjistratit, si dhe ajo që është më e rëndësishme, garantimi i funksionimit të plotë të SPAK-ut.
Në këtë frymë, për SPAK-un garantohen qoftë si pjesë e ndryshimeve të kompetencës lëndore të saj që garanton fokusimin në çështjet me rëndësi, ashtu edhe në rregullimin e trajtimit financiar të pagave dhe përfitimeve të tjera të punonjësve të BKH-së.
“Nëpërmjet këtyre ndryshimeve, që duhet thënë janë nga ndryshimet më thelbësore që kryhen nga miratimi i reformës në Drejtësi në vitin 2016, përshpejtohet konsolidimi i një sistemi drejtësie i pavarur, profesional dhe i aftë që të garantoje drejtësinë për qytetarët shqiptarë, por njëkohësisht të arrihet sa më shpejt impakti që qytetarët shqiptarë po presin për zbatimin e reformës në drejtësi”-tha ministrja Gjonaj.
Çfarë përbëjn në vetvete ndryshimet e miratuara nga Kuvendi më 23 mars 2021?
Nëpërmjet ndryshimeve të ligjeve të reformës në Frejtësi, synohet përmbushja e objektivave të mëposhtëm:
Rritja e eficencës së Gjykatës së Lartë
Gjykimi në Gjykatën e Lartë ndryshon, nga seanca publike të detyrueshme për t’u zhilluar në çdo rast, në gjykim në dhomë këshillimi bazuar në dokumentet që paraqesin palët:
Ky lloj gjykimi, rrit aftësinë e Gjykatës së Lartë për të gjykuar një numër më të lartë çështjes;
Ul zvarritjet e gjykimeve për shkak të mospranisë së palëve, dhe kërkesave me karakter procedural që kanë si qëllim shtyrjen e gjykimit;
Përjashtimit, për çështje të rëndësishme, Gjykata e Lartë e zhvillon gjykimin me séance publike
Ulet numri i çështjeve që mund të shkojnë drejtpërdrejtë në Gjykatën e Lartë (çështjet e juridiksionit dhe kompetencës), duke ulur kështu ngarkesën e panevojshme të saj
Përmirësohen rregullat procedurale në paraqitjen e rekurseve, gjykimin dhe disponimin nga Gjykata e Lartë
përmirësohen rregullat procedurale për depozitimin dhe nënshkrimin e rekurseve, formën që mund të paraqitet rekursi, plotësimin e të metave të rekursit,
njësohen rregullat mbi gjykimin e posaçëm për njësimin ose ndryshimin e praktikës gjyqësore, në të tre ligjet procedurale;
Rregullohen të metat mbi mënyrën e disponimit të gjykatës së lartë;
Garantohet marrja e mendimit të avokaturës së shtetit ose institucioneve të tjera kur çështjet që parashtrohen për rregullim kanë interes publik
Garantohet funksionimi i Gjykatave të Apelit, pavarësisht efekteve të procesit të rivlerësimit kalimtar
Është rregulluar përbërja e trupave gjykuese në Gjykatat e Apelit
Një kategori e caktuar çështjesh tashmë mund të gjykohen nga një gjyqtar i vetëm i Gjykatës së Apelit
Zgjerimi i çështjeve që mund të gjykohen në dhomë këshillimi në Gjykatën e Apelit
Veçanërisht në gjykimin penal, janë shtuar disa lloje çështjesh, që vendimet mund të merren në dhomë këshillimi (ankimi ndaj mosfillimit të procedimit, gjykimet për sigurimin e proves; ankimet për zgjatjen e hetimeve etj)
Rregulluar procedura për shpalljen dhe njoftimin e përbërjes së trupit gjykues, si dhe ores dhe dates së zhvillimit të gjykimit
Përshpejtohet gjykimi i disa çështjeve në Gjykatën e shkallës së pare
Është rritur shuma e padive që shqyrtohen me gjykim të shkurtuar
Paditë që rrjedhin nga marrëdhënie kontraktore, deri në 20 fishin e pages minimale (më pare ishte 150.000 lek) gjykohen sipas këtij riti të përshpejtuar
Rritet numri i çështjeve që mund të gjykohen më shpejt nga gjykatat e rrethit gjyqësor Tiranë
Ankimet kundër veprimeve përmbarimore, shyqrtohen nga i njëjti gjyqtar
Lejon administrimin më të shpejtë të këtyre proceseve për shkak se gjyqtari është i njohur me urdhrin e ekzekutimit dhe rrethanat e çështjes
Ndihmësit ligjor do të funksionojnë edhe pranë gjykatave të shkallës së pare
Lehtësohen gjyqtarët e këtyre gjykatave nga ngarkesa administrative/kërkimore e panevojshme, duke i kushtuar më shumë kohë procesit gjyqësor dhe arsyetimit të vendimeve
Garantohet mirëfunksionimi i organeve të qeverisjes së sitemit të drejtësisë dhe roli i tyre në administrimit e sistemit
Rregullohet procedura e hetimit administrativ që kryejnë Këshillat për emërimin e kandidatëve në sistemit gjyqësor
garantohet përfundimi në kohë i procesit të verifikimit të pasurisë dhe figures së studentëve të shkollës së magjistraturës që do të emërohen në sistem
Rregullohen procedurat e ngritjes në detyrë dhe lëvizjeve paralele
Shtohet mundësia e delegimit për një çështje, të një magjistrati në skemën e delegimit
Si masa me karakter të përkohshëm: i njihet e drejta Këshillave që të caktojnë magjistratë për një çështje të veçantë si dhe të caktojnë magjistratë përkohësisht, kur vendet janë përkohësisht të lira
Krijohet njësia e shërbimit ligjor në Prokurorinë e Përgjithshme, me përfshirjene edhe të këshilltarëve ligjor
Garantohet aftësia e Prokurorisë së Përgjithshme në ushtrimin e funksioneve, pavarësisht ndikimit të procesit të vetingut në numrin e prokurorëve
Ulen vitet e nevojshme për të kandiduar si ndihmës ose këshilltar ligjor në Shkollën e Magjistraturë, duke rritur kështu numrin e subjekteve që mund të konkurrojnë për këto pozicione
Vendosen rregulla të qarta për funksionimin e mbledhjes së përgjithshme të gjyqtarëve në çdo gjykatë (veçanërisht kuorumi i nevojshëm)
Vendosen rregulla mbi zgjedhjen e zëvëndëskryetarit duke pasur në konsideratë edhe rastet kur kriteret nuk plotësohen nga subjektet që ushtrojnë funksionin në gjykata
Rritet roli i degëve të gjykatave, në gjykimin e çështjeve

Përmirësohet garancitë dhe përfitimet që ofron statusi i magjistratit
Rritet shpërblimi i gjyqtarëve të Gjykatave të Posaçme dhe Prokurorëve të SPAK në 80% të pages bruto fillestare (nga 60% që ishte aktualisht) duke përfshirë edhe shpërblimin për shkak të heqjes dorë nga privatësia
I njihet e drejta e përfitimit të shpërblimit të posaçëm edhe magjistratëve të tjerë që delegohen në Gjykatat ose Prokurorinë e Posaçme
Përfitohet një shpërblim shtesë prej 10 përqind për të gjithë magjistratët që janë pjesë e skemës së delegimit
Garantohen rregulla të qarta për përfitimin e kompensimit për mbulimin e shpenzimeve të qëndrimit, shpenzimeve të transportit, si dhe dietë ditore për magjistratët që delegohen, transferohen ose caktohen përkohësisht
Qartësohen rregullat për përfitimin e pensionit të parakohshëm për magjistratër, duke caktuar edhe metodologjinë e llogaritjes së tij nga Këshillat
Rritet mosha e daljes në pension – nga 67, me kërkesë të magjistratit, mund të dale në pension 70 vjeç

Rritet aftësia e SPAK për hetimin e veprave penale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar
Ndryshohet kompetenca lendore e SPAK, duke hequr veprat penale në fushën e korrupsionit (nën vlerën 50.000 lek)
Krijohet mundësia që SPAK të fokusohet në çështjet që kanë rendësi të veçantë
Janë shtuar në kompetencën lendore të SPAK veprat penale në fushën e terrorizmit
Garantohet mirëfunksionimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit duke:
Caktuar nivelet e pagave të larta (të ngjashme me prokurorët) për Drejtorin e BKH, Zëvëndësdrejtorin dhe oficerët e policisë gjyqësor
Garantohen përfitimet e punonjësve të BKH, në mënyrë të ngjashme me përfitimet e punonjësve të policisë së shtetit
Garantohet rekrutimi i administrates me integritet dhe aftësi për përmbushjen e detyrave
Njihet e drejta e shpërblimit për vështirësi dhe heqjes dorë nga privatësia në masën 50% të pages së tyre (më pare ishte 10%)
Projektligjet, kryesisht ndryshime me nga 1 nen në ligjet ekzistuese, u miratuan si vijojnë:
1.Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7905, datë 21.3.31995 “Kodi i procedurës penale i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”” u miratua me 96 vota pro, 3 kundër dhe 3 abstenime.
2.Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” u miratua me 95 vota pro, 5 kundër dhe 3 abstenime.
3.Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar” u miratua me 93 vota pro, 5 kundër dhe 4 abstenime.
4.Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8116, datë 29.3.1996, “Kodi i procedurës civile i Republikës së Shqipërisë””, të ndryshuar”” u miratua me 95 vota pro, 5 kundër dhe 2 abstenime.
5.Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar”” u miratua me 94 vota pro, 5 kundër dhe 3 abstenime.
6.Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”” u miratua me 95 vota pro, 4 kundër dhe 3 abstenime.
7.Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”” u miratua me 93 vota pro, 5 kundër dhe 3 abstenime.
8.Projektligj “Për një ndryshim në ligjin nr. 25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore”” u miratua me 93 vota pro, 4 kundër dhe 4 abstenime.
9.Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 49/2012, datë 03.05.2012, “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të ndryshuar”” u miratua me 94 vota pro, 5 kundër dhe 3 abstenime.
10.Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”./illyriapress.com