Mbrojtësi i Real Madridit, Antonio Rudiger, po përballet me një dënim tejet të ashpër pasi hudhjes së një objekti në drejtim të gjyqtarit në shenjë nervozizmi pas finales së Kupës së Mbretit.
Në minutat e fundit të humbjes së Real Madridit me rezultat 3-2 ndaj Barcelonës në finale, Rudiger dhe bashkëlojtarët e tij ishin tejet të frustruar pas një vendimi të gjyqtarit i cili shkoi në favor të Barcelonës duke ndalur një sulm nga Kylian Mbappe.
Rudiger ishte aq i zemëruar me vendimin, sa që ai ka hedhur sipas raportimeve një qese me akull drejt gjyqtarit.
Për këtë veprim, gjermani u ndëshkua me karton të kuq, teksa fatin e njëjtë e patën edhe Lucas Vazquez dhe Jude Bellingham pas protestave të tyre të ashpra.
🚨😳 Near the end of the match, Rüdiger tried to throw two bags of ice at referee De Burgos and has to be held down by several people, reports @marca. pic.twitter.com/gTudeKvEcu
— EuroFoot (@eurofootcom) April 26, 2025
Pasi u përjashtua, Rudiger u desh të mbahej nga një pjesë e stafit në mënyrë që të parandalohet ndonjë sulm i mundshëm fizik ndaj gjyqtarit De Burgos Bengoetxea.
Sipas një raportimi nga Cadena SER, ai mund të dënohet prej 4 deri në 12 ndeshje, që do të thotë se mund të suspendohet për pjesën e mbetur të sezonit.
Një tjetër video e publikuar nga momenti i incidentit tregon se si Rudiger u mundua që të hedhë edhe një qese tjetër me akull, por u ndalua nga stafi teknik i ‘Los Blancos’.
“Në minutën e 120-të lojtari (22) Rudiger, Antonio, u përjashtua për arsyen në vijim: Për hedhje të një objekti drejt zonës teknike, që nuk më arriti mua. Pasi mori karton të kuq, ai u desh të mbahej nga disa pjesëtarë të stafit të trajnerëve, duke shfaqur një sjellje agresive”, thuhej në raportin e gjyqtarit.
Real Madridi të përballet me Celta Vigon të dielën para se të luajë sërish ndaj Barcelonës në kampionat më 11 maj.