Anita Topolova-Misajllovska u zgjodh sot ushtruese detyre e Prokurores Publike të Shtetit të Maqedonisë së Veriut, pasi Këshilli i Prokurorëve Publikë mori vendim njëzëri në seancën e tij.
Ajo vjen në këtë post pas dorëheqjes së parevokueshme të Ljupço Kocevskit më 17 dhjetor, dorëheqje e cila u konstatua po atë ditë nga Kuvendi. Zgjedhja ishte planifikuar më herët, por u shty për të siguruar vendimmarrje në përbërje të plotë të Këshillit.
Topolova-Misajllovska ka ushtruar për rreth 10 vjet funksionin e zëvendëses së kryeprokurorit, duke qenë zëvendëse e Kocevskit dhe e paraardhësve të tij, çka u vlerësua nga Këshilli si zgjidhje profesionale dhe parimore.
Ajo do ta ushtrojë detyrën deri në emërimin e kryeprokurorit të ri, por jo më gjatë se gjashtë muaj, në përputhje me Ligjin për Prokurorinë Publike.
Procedura për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri nis me shpallje publike nga Kuvendi, ndërsa kandidatët duhet të kenë së paku 10 vjet përvojë si prokurorë ose gjyqtarë në fushën penale.(INA)




