Izraeli tha se planifikon të shkatërrojë të gjitha tunelet nëntokësore të mbetura në Rripin e Gazës të përdorura nga luftëtarët e grupit militant palestinez Hamas gjatë konfliktit.
Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, njoftoi këtë veprim në rrjete sociale.
“Sfida e madhe e Izraelit pas fazës së kthimit të pengjeve do të jetë shkatërrimi i të gjitha tuneleve terroriste të Hamasit në Gaza”, tha Katz, duke shtuar se operacioni do të kryhet drejtpërdrejt nga ushtria izraelite nën mbikëqyrjen e SHBA-së.
Gjatë luftës dyvjeçare në Gaza, ushtria izraelite raportoi vazhdimisht shkatërrimin e tuneleve të Hamasit, por shtrirja dhe shkalla e funksionalitetit të rrjetit nëntokësor të mbetur është e paqartë.
Para ofensivës izraelite, zyrtarët thanë se tunelet shtriheshin për disa qindra kilometra, duke përfshirë edhe nën zonat urbane.
Disa tunele lejonin qasje përtej gardhit kufitar në Izrael, duke lejuar sulme të papritura.