Izraeli thotë se lufta me Hamasin do të zgjasë “disa muaj”

A shell from Israeli artillery explodes over Bastra Farms in the disputed Shebaa Farms territory, south Lebanon, Tuesday, Oct. 10, 2023. A Lebanese security official said six rockets were fired from southern Lebanon into northern Israel Tuesday evening. (AP Photo/Hussein Malla)

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, paralajmëroi të enjten se lufta kundër Hamasit – grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – do të zgjasë “më shumë se disa muaj”.

Gallant i bëri këto komente në Tel Avivi me këshilltarin amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, të enjten.

“Por, ne do të fitojmë dhe ne do t’i shkatërrojmë ata”, tha Gallant.

Më vonë gjatë ditës së enjte, Shtëpia e Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara duan që kjo luftë të përfundojë shpejt.

“Mendoj se të gjithë ne duam që ajo të mbarojë sa më shpejt”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Lufta, tani në muajin e tretë, nisi më 7 tetor, pasi Hamasi kreu një sulm tronditës në jug të Izraelit duke i vrarë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbeu mbi 240 të tjerë.

Prej atëherë, Izraeli e ka rrethuar Rripin e Gazës dhe e ka rrënuar shumicën e saj. Ministria palestineze e Shëndetësisë tha të mërkurën se mbi 18.600 palestinezë janë vrarë, kryesisht fëmijë dhe gra, dhe rreth 50.000 të tjerë janë plagosur si pasojë e luftës izraelite në Gazë prej 7 tetorit.

Avionët luftarakë e bombarduan edhe të enjten Gazën dhe zyrtarët e organizatave humanitare thanë se shiu dimëror i ka përkeqësuar kushtet për qindra mijëra njerëz që detyrohen të flenë në tenda të improvizuara.

Shumica dërrmuese e popullsisë prej 2.3 milionë në Gazë ka mbetur pastrehë.

Të martën, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, tha se Izraeli është duke e humbur mbështetjen globale për shkak të bombardimit të pakujdesshëm të Rripit të Gazës dhe i bëri thirrje Netanyahut ta ndryshojë Qeverinë e tij./REL