Izraeli ka thënë se ka vrarë të hënën shefin e inteligjencës së Gardës Revolucionare të Iranit, Gjeneral Majid Khademi.
“Udhëheqësit e Iranit jetojnë me ndjenjën se janë në shënjestër. Ne do të vazhdojmë t’i ndjekim një nga një”, thuhet në njoftimin e ministrit izraelit të Mbrojtjes, Israel Katz.
Katz ka shtuar se Izraeli kishte “dëmtuar rëndë” edhe industritë e çelikut dhe petrokimisë të Iranit.
“Ne do të vazhdojmë të shtypim infrastrukturën kombëtare iraniane dhe të çojmë në erozionin dhe rrëzimin e regjimit terrorist, si dhe aftësitë e tij për të nxitur terrorin dhe zjarrin ndaj shtetit të Izraelit”, ka shtuar Katz.
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë kryer një valë sulmesh ndaj Iranit të hënën, duke vrarë më shumë se 25 persona, dhe Irani u përgjigj me zjarr raketash ndaj Izraelit dhe fqinjëve të tij arabë të Gjirit.
Afati i fundit i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Teheranin për të rihapur Ngushticën e Hormuzit po afrohet, teksa ndërmjetësit kanë lëshuar një propozim të ri për armëpushim.
Shpërthime janë dëgjuar në Teheran dhe avionë që fluturonin ulët mund të dëgjoheshin për orë të tëra, ndërsa kryeqyteti bombardohej.
Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite kanë aktivizuar të gjitha sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore për të kapur raketat dhe dronët iranianë që vinin, ndërsa Teherani vazhdoi të ushtronte presion mbi fqinjët e saj të Gjirit.
Sulmet e rregullta të Iranit ndaj infrastrukturës rajonale të energjisë dhe kontrolli i tij në Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës transportohet një e pesta e naftës botërore në kohë paqeje, kanë rritur çmimet globale të energjisë.



