Izraeli sulmon sërish Rripin e Gazës gjatë natës

Ushtria izraelite goditi Rripin e Gazës për të tretën natë radhazi mbrëmjen e së enjtes duke vrarë dy persona, raportoi agjencia zyrtare palestineze e lajmeve. Sulmet po vënë vazhdimisht në provë marrëveshjen e armëpushimit e cila është ende e brishtë, ka shkruar Reuters.

Sipas agjencisë WAFA, një palestinez u vra nga bombardimet izraelite dhe një tjetër u qëllua për vdekje nga forcat izraelite. Ushtria e Izraelit nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment nga Reuters.

Po ashtu, një palestinez tjetër vdiq nga plagët e marra në një sulm të mëparshëm izraelit, raportoi agjencia.

Armëpushimi, i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, ka lënë pa zgjidhur disa çështje të ndërlikuara, si çarmatimi i Hamasit dhe afati për tërheqjen e ushtrisë izraelite nga Gaza. Që prej hyrjes në fuqi tre javë më parë, armëpushimi është thyer disa herë nga shpërthimet e dhunës.

Midis së martës dhe së mërkurës, Izraeli u kundërpërgjigj pas vrasjes së një ushtari izraelit me bombardime që, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, vranë 104 persona.

Izraeli pretendon se mbetet i përkushtuar ndaj armëpushimit, pavarësisht kundërsulmeve që ka kryer.

Në anën tjetër, Hamasi mohon akuzat për vrasjen e ushtarit izraelit dhe po ashtu shpreh gatishmëri për t’iu përkushtuar marrëveshjes.