Izraeli: Sanksionet ndaj Rusisë po bëhen të pashmangshme

Izraeli nuk do të lejojë që oligarkët rusë të përdorin vendin për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare, shkruan SRF transmeton “Bota sot”. Kështu tha ministri i Jashtëm Jair Lapid gjatë një vizite në Sllovaki. 

“Izraeli nuk do të jetë një rrugë për të anashkaluar sanksionet që Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore kanë vendosur ndaj Rusisë.”

Ministria e Jashtme tashmë është në kontakt me ministri të ndryshme dhe autoritete të aeroportit për koordinim. Pas sulmit rus në Ukrainë, mediat izraelite raportuan se vendi po shmangte sanksionet kundër oligarkëve.

Sipas gazetës Times of Israel, më shumë se një duzinë avionësh privatë nga Rusia kanë zbritur në Izrael gjatë javëve të fundit. Izraeli ka pasur tradicionalisht marrëdhënie të mira me Rusinë dhe Ukrainën, dhe kryeministri Naftali Bennett është aktualisht i përfshirë në përpjekjet e ndërmjetësimit.