Izraeli pretendon se ka gjetur një depo armësh të Hamasit dhe shenja pengjesh në bodrumin e një spitali në Gaza

Ushtria izraelite ka pretenduar se ka gjetur një depo armësh të Hamasit dhe shenja të pengjeve izraelite në bodrumin e një spitali në Gaza.

Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), Daniel Hagari tha se zbulimi u bë në Spitalin e Fëmijëve Rantisi vetëm një ditë pasi pacientët e tij të fundit u evakuuan, shkruajnë mediat e huaja.

Sky News thotë se megjithatë nuk i ka verifikuar këto pretendime.

Spitalet kanë qenë në qendër të luftës në ditët e fundit me Hamasin që akuzon Izraelin për sulme ndaj vendeve me pacientë të cenueshëm. Grupi militant ka mohuar përdorimin e spitaleve si bazë për operacionet e tij.

Siç vë në pah Sky News, objektit të Rantisit i mbaroi karburanti javën e kaluar dhe Izraeli kishte urdhëruar njerëzit të largoheshin ndërsa po vazhdonte me operacionin e tij tokësor.

Duke folur me gazetarët nga Tel Avivi, Admiral Hagari tha se një “qendër komandimi dhe kontrolli i Hamasit, jelekët e bombave vetëvrasëse, granata, pushkë sulmi AK-47, pajisje shpërthyese, RPG dhe armë të tjera” u gjetën në bodrum.

“Ne gjetëm gjithashtu shenja që tregojnë se Hamasi mbante pengje këtu”, ka theksuar ai.

Ai vuri në dukje fotografitë e asaj që ai e përshkroi si një listë të anëtarëve të Hamasit të akuzuar për mbajtjen e pengjeve në spitalin Rantisi, duke thënë se ata u gjetën brenda.