Qeveria e Izraelit ka miratuar një marrëveshje për armëpushim dhe lirimin e pengjeve pas një votimi në kabinet në orët e para të mëngjesit të së premtes sipas orës lokale.
Marrëveshja është vetëm faza e parë e planit të paqes prej 20 pikash të Presidentit të ShBA-së, Donald Trump , dhe ka ende një numër pikash të vështira për t’u zgjidhur.
Ja çfarë pritet të ndodhë në këtë fazë të parë:
Një armëpushim në Gaza pritet të hyjë në fuqi herët të shtunën , 24 orë pasi marrëveshja të miratohet nga qeveria izraelite, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Trupat izraelite do të tërhiqen në një vijë që u jep kontrollin e 53% të Rripit të Gazës, tha një zëdhënës i zyrës së kryeministrit izraelit.
Kjo është faza e parë nga tre fazat e tërheqjes në planin e Trump.
Do të fillojë lirimi i pengjeve izraelite- të gjallë dhe të vdekur – që mbahen nga Hamasi, i ndjekur nga lirimi nga Izraeli i të burgosurve palestinezë që vuajnë dënime të përjetshme në burgjet izraelite, si dhe i të paraburgosurve nga Gaza.
SHBA-ja po zhvendos deri në 200 trupa që tashmë ndodhen në Lindjen e Mesme në Izrael për të koordinuar një forcë shumëkombëshe që do të monitorojë armëpushimin, sipas zyrtarëve amerikanë.