Izraeli edhe përkundër karantinës, planifikon të vaksinojë shumicën e qytetarëve deri në fund të marsit

Kryeministri i Izraelit, Benyamin Netanyahu, tha se deri në fund të marsit të gjithë izraelitët mbi moshën 16 vjeç do të vaksinohen kundër koronavirusit (COVID-19).

Duke folur në lidhje me hapat që duhen ndërmarrë në luftën kundër pandemisë me hyrjen në fuqi të një karantine të rreptë në vend për shkak të COVID-19, Netanyahu tha se grupi i ri i vaksinës së zhvilluar nga Pfizer dhe BioNTech do të arrijë në Izrael të dielën, transmeton Anadolu.

“Marrëveshja me Pfizer-in do të sigurojë që të gjithë qytetarët izraelitë mbi moshën 16 vjeç të vaksinohen deri në fund të marsit në një fushatë të quajtur ‘Kthimi në jetë’”, tha kryeministri izraelit.

Netanyahu deklaroi se janë një hap para asaj që ishte planifikuar në vaksinimin masiv kundër COVID-19, por shtoi se varianti i ri më infektues i virusit i cili u zbulua në Birtani ka shkaktuar një rritje të ashpër të numrit të rasteve ditore në Izrael.

Ai pohoi se Izraeli, vend me 9,3 milionë banorë, do të jetë vendi i parë që do të dalë nga kriza COVID-19 falë vaksinimit, ndërsa kërkoi nga qytetarët të respektojnë rregullat e karantinës së shtrënguar dyjavore që filloi në mesnatë.

Vaksinimi masiv në Izrael filloi më 20 dhjetor dhe doza e parë e vaksinës e zhvilluar nga Pfizer dhe BioNTech është administruar në 1 milion e 593 mijë njerëz deri më sot.

Ndërkaq, grupi i parë me më shumë se 100 mijë vaksina të zhvilluara nga Moderna arriti në Izrael dje.

– Nis karantina e shtrënguar

Duke filluar nga mesnata, në Izrael ka hyrë në fuqi një karantinë me rregulla të shtrënguara, të cilën qeveria izraelite e vendosi pasi rastet e përditshme u rritën në mbi 8 mijë.

Gjatë karantinës dyjavore procesi arsimor do të pezullohet në shkolla dhe dyqanet do të qëndrojnë të mbyllura, përveç bizneseve që ofrojnë shërbime thelbësore.

Sipas të dhënave të Ministrisë izraelite të Shëndetësisë, 3.549 njerëz kanë vdekur në vend për shkak të virusit, ndërsa numri i përgjithshëm i rasteve ka shkuar në mbi 470 mijë.