Izraeli e ka shënuar më 7 tetor njëvjetorin e sulmit shkatërrues të Hamasit ndaj shtetit hebraik, gjatë të cilët militantët i vranë mbi 1.200 njerëz dhe i rrëmbyen rreth 250 të tjerë. Ndërkohë, ushtria izraelite i ka vazhduar bombardimet e ashpra në Bejrut dhe inkursionin në jug të Libanit, në përpjekje për ta shkatërruar grupin militant të mbështetur nga Irani, Hezbollah.
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, e udhëhoqi një minutë heshtje në orën 6:29, orën kur filloi sulmi, në Kittbutz Reim, vendndodhjen e festivalit muzikor Nova, ku qindra të rinj u vranë nga luftëtarët e Hamasit, grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Ushtria izraelite tha se gjatë ceremonisë së udhëhequr nga Herzog u shkrepën katër raketa nga Gaza drejt vendbanimeve të njëjta izraelite që ishin sulmuar në fillim të sulmit të vitit të kaluar.
Ceremonia nuk u pengua, sipas ushtrisë.
Në Jerusalem, të afërmit e rreth 100 pengjeve që ndodhen ende në robërinë e Hamasit, shumë prej të cilëve besohet se janë të vdekur, u mblodhën pranë rezidencës së kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe qëndruan në heshtje në shenjë proteste ndaj asaj që të afërmit e quajnë dështim të Qeverisë për t’i liruar më të dashurit e tyre.
Pas sulmit të 7 tetorit, Izraeli nisi një luftë Gazë, ku i ka vrarë afro 42.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi.
Ushtria izraelite tha më 7 tetor se gjatë vitit të fundit i ka bombarduar më shumë se 40.000 shënjestra në Gazë, ka zbuluar 4.700 tunele dhe ka shkatërruar 1.000 vende të raketahedhësve.
Konflikti në Gazë është duke u zhvilluar ende, ndërsa Izraeli tani po lufton në një front të dytë në jug të Libanit kundër Hezbollahut.
Mëngjesin e 7 tetorit, Hezbollahu, i cili është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, hodhi raketa në qytetet veriore të Izraelit, Haifa dhe Tiberias, duke shkaktuar dëme dhe disa lëndime të lehta, sipas policisë izraelite.
Bashkimi Evropian ka vendosur në listën e zezë krahun e armatosur të Hezbollahut, por jo edhe krahun e tij politik, i cili ka ulëse në parlamentin libanez. Në javët e fundit, Izraeli ka bombarduar periferitë jugore të Bejrutit dhe është duke e kryer një inkursion tokësor në jug të Libanit, në përpjekje për ta shkatërruar Hezbollahun.
Fushata e Izraelit kundër Hezbollahut nxiti patronin e grupit, Iranin, të përgjigjet duke sulmuar shtetin hebraik me një breshëri raketash, pjesa dërrmuese e të cilave u shkatërruan nga mbrojtja ajrore izraelite pa shkaktuar dëme të konsiderueshme, por sulmi ringjalli frikën për shpërthimin e një konflikt më të gjerë rajonal.
Më 6 tetor, ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, e kërcënoi Iranin se ai mund të përfundojë duke u dukur si Bejruti apo Gaza – të cilat gjithashtu janë shkatërruar gjatë vitit të fundit – nëse Teherani tenton ta dëmtojë më shumë Izraelin.
“Iranianët nuk prekën aftësitë e forcave ajrore. Asnjë avion nuk u dëmtua, asnjë skuadron nuk u nxor jashtë përdorimit”, tha Gallant në lidhje me sulmin raketor iranian, i cili shkaktoi pak lëndime dhe dëme të vogla në dy baza të forcave ajrore.
“Kushdo që mendon se një përpjekje e thjeshtë për të na dëmtuar do të na dekurajojë nga ndërmarrja e veprimeve, duhet të shohë [operacionet e Izraelit] në Gazë dhe Bejrut”, tha ai.
Izraeli tha më herët se kreu një sërë “sulmesh të shënjestruara” ndaj “depove të armëve” dhe infrastrukturës që i përkasin Hezbollahut.
Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit tha se baza e Hezbollahut në zonë u godit nga më shumë se 30 sulme. Një pikë karburanti dhe një magazinë me pajisje mjekësore u goditën nga sulmet ajrore.
Shumë vëzhgues thanë se këto sulme ishin më të fuqishmet deri më tani nga sulmet ajrore të Izraelit në javët e fundit.
Izraeli ka bombarduar periferitë e Bejrutit për shumë ditë me radhë, duke vrarë liderin e Hezbollahut, Sayyed Hassan Nasrallah, dhe ndoshta pasardhësin e tij të mundshëm, Hashem Safieddine.
Burime të sigurisë kanë thënë se Safieddine nuk është shfaqur prej 4 tetorit, pas një sulmi ajror izraelit afër aeroportit ndërkombëtar të Bejrutit, i cili thuhet se e kishte në shënjestër atë. Hezbollahu nuk ka komentuar për Safieddine.
Izraeli thotë se Nasrallah u vra në një sulm ndaj selisë së komandës qendrore të grupit në Bejrut më 27 shtator.
Dy zyrtarë të lartë iranianë të sigurisë i thanë agjencisë së lajmeve Reuters më 6 tetor se as nga Ismail Qaani, komandant i Forcës Quds – krahu i jashtëm i Trupave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) –nuk është dëgjuar kohët e fundit, prej kur udhëtoi për në Liban.
Deklaratat e 6 tetorit nga Shtetet e Bashkuara – aleati më i rëndësishëm i Tel Avivit – treguan se ka zemërim me shtrirjen e veprimeve ushtarake të Izraelit.
“Trysnia ushtarake mund ta mundësojë në disa raste diplomacinë. Natyrisht, trysnia ushtarake mund të çojë gjithashtu në llogaritje të gabuara. Mund të sjellë pasoja të padëshiruara”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit në një deklaratë.
Zëdhënësi tha se Uashingtoni mbështet veprimet e Izraelit për t’i luftuar elementet ekstremiste, por shtoi se liderët e SHBA-së nuk i mbështesin sulmet ndaj infrastrukturës civile.
Izraeli thotë se sulmet ndaj Hezbollahut kanë për qëllim të mundësojnë kthimin e sigurt të dhjetëra mijëra qytetarëve në shtëpitë e tyre në veriun e Izraelit./REL