Izraeli do të lejojë një forcë shumëkombëshe sigurie të hyjë në Gaza, siç është propozuar sipas planit të armëpushimit të Presidentit Donald Trump.
Kabineti i sigurisë i presidentit izraelit Netanjahu miratoi të dielën kornizën ligjore që do të lejonte hyrjen e forcës në Gaza. Netanyahu pritet të takohet me Trump të martën.
Misioni, i quajtur Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit, do të përfshijë 200 anëtarë nga “vende mike si Uganda dhe Maroku” që do të vendosen në zona që nuk janë nën kontrollin izraelit.
Çdo kontigjent kërkon miratim individual izraelit për të hyrë në Gaza. Nuk ishte e qartë se kur do të vendoseshin forcat.
Pas një marrëveshjeje armëpushimi të arritur në tetor, Trump paraqiti një plan paqeje për Gazën që parashikonte një rritje të ndihmës humanitare, administrim civil nga teknokratët palestinezë, dorëzimin e armëve nga Hamasi dhe tërheqjen e forcave izraelite.
Por plani ka ngecur dhe grupi i teknokratëve i njohur si Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës ka mbetur jashtë Gazës.
Izraeli kontrollon në mënyrë efektive rreth 64% të Gazës, ndërsa pothuajse të gjithë 2 milionë banorët e saj jetojnë në një copë tokë në bregdet nën kontrollin e Hamasit, kryesisht në tenda të improvizuara ose ndërtesa të dëmtuara dhe përballen me kushte të tmerrshme.
Hamasi deri më tani ka refuzuar të çarmatoset dhe Izraeli ka thënë se do ta zgjerojë zonën e kontrollit të tij në Gaza në 70% të enklavës, ku ka vazhduar sulmet ushtarake pothuajse të përditshme.
Plani i Trump përfshinte një Bord Paqeje si një autoritet ndërkombëtar gjithëpërfshirës përgjegjës për zbatimin e kuadrit të paqes. Ai do të mbikëqyrte forcën e sigurisë, ndër funksione të tjera.
Nickolay Mladenov, i dërguari i Trump në Bordin e Paqes për Gazën, e përshëndeti vendimin izraelit.
“Është një pjesë kritike e kuadrit të dakordësuar për stabilizimin e Gazës, mbështetjen e demilitarizimit dhe mundësimin e kalimit në një administratë efektive kalimtare palestineze nën @NCAG”, tha Mladenov.
Bordi po planifikon një zonë humanitare pilot për banorët e Gazës si një mënyrë për të nisur planin e bllokuar të presidentit të SHBA-së, tha një zyrtar i bordit këtë muaj.
Klan News



