Izraeli dhe Libani bien dakord për armëpushim nëse Hezbollahu ndalon sulmet

Izraeli dhe Libani kanë arritur një marrëveshje për zbatimin e një armëpushimi, njoftoi Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një deklarate zyrtare.

Sipas deklaratës, marrëveshja varet nga “ndërprerja e plotë” e sulmeve nga grupi i armatosur Hezbollah, i mbështetur nga Irani, si dhe nga përmbushja e disa kushteve të tjera.

Njoftimi vjen pasi sulmet izraelite në jug të Libanit të mërkurën lanë të paktën nëntë persona të vdekur, ndërsa Hezbollah lëshoi raketa drejt veriut të Izraelit, duke vënë në provë armëpushimin e brishtë të arritur fillimisht në muajin prill.

“Të gjitha vendet riafirmuan se e ardhmja e marrëdhënieve mes Izraelit dhe Libanit duhet të përcaktohet nga dy qeveritë sovrane. Ato hodhën poshtë çdo përpjekje nga shtete apo aktorë jo-shtetërorë për ta mbajtur peng të ardhmen e Libanit”, thuhet në deklaratë, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Marrëveshja u arrit pas raundit të katërt të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara në Uashington. Ajo parashikon largimin e të gjithë pjesëtarëve të Hezbollahut nga zona që kontrollohet nga Izraeli në jug të Libanit, nga lumi Litani deri në kufi.

Po ashtu, ShBA-ja do të ndihmojë në krijimin e zonave pilot, ku Forcat e Armatosura të Libanit do të kenë kontroll të plotë mbi territorin, pa praninë e aktorëve të tjerë të armatosur. Megjithatë, nuk janë dhënë ende detaje shtesë për mënyrën se si do të funksionojnë këto zona.

Ky zhvillim pason armëpushimin e pjesshëm të arritur të hënën, sipas të cilit Izraeli do të ndalonte bombardimet ndaj Bejrutit, ndërsa Hezbollah do të përmbahej nga sulmet kundër Izraelit.

Të dyja palët pritet të takohen sërish më 22 qershor për të vazhduar negociatat me synimin e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. Deri më tani, Hezbollah nuk ka reaguar publikisht ndaj këtij njoftimi.