Kandidati i VLEN-it për Çairin, Izet Mexhiti, mori pjesë me respekt të veçantë në manifestimin e 28 Shtatorit, Ditës së Boshnjakëve, një datë që kujton historinë, identitetin dhe kontributin e këtij komuniteti në Maqedoninë e Veriut.
Në fjalimin e tij, Mexhiti theksoi rolin e pazëvendësueshëm të boshnjakëve në ndërtimin e një shoqërie shumëetnike, sidomos në Çair, ku bashkëjetesa dhe bashkëpunimi ndërkomunitar janë bërë pjesë e përditshme e jetës. “Ky është një shembull që forcon kohezionin shoqëror dhe na obligon ta ruajmë e ta zhvillojmë më tej,” tha ai.
Ai vlerësoi kontributin e komunitetit boshnjak në kulturë, arsim, ekonomi dhe jetë shoqërore, duke theksuar se këto vlera pasurojnë identitetin qytetar dhe përmbushin bashkëjetesën.
Në përfundim, Izet Mexhiti uroi të gjithë boshnjakët me rastin e kësaj dite, duke nënvizuar se respekti, mirëkuptimi dhe solidariteti janë ura që lidhin komunitetet drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe më të drejtë për të gjithë. (INA)