Në një intervistë për Pressing në televizionin T7, Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, u shpreh kritik ndaj dy mandateve të kaluara të qeverisjes LSDM-BDI, duke theksuar se shqiptarët nuk kanë përfituar nga pozita e tyre politike.
“Edhe pse faktori shqiptar ka pasur pozitën më të volitshme, brenda këtyre 8 viteve nuk është avancuar çështja shqiptare. Përkundrazi, ka dominuar korrupsioni, hapja e kazinove, kredive të shpejta, dhe blerja e qendrave tregtare, të cilat kanë qenë të dëmshme për shqiptarët,” tha Mexhiti.
Ai kujtoi gjithashtu rastet e bujshme që sipas tij janë të montuara, si Monstra dhe rasti i Kumanovës, duke theksuar mungesën e drejtësisë dhe përfitimeve reale për komunitetin shqiptar:
“Brenda atyre 8 viteve nuk ka pasur asnjë avancim të çështjes shqiptare dhe shumë raste janë përdorur politikisht,” shtoi ai.
Megjithatë, Mexhiti theksoi se hyrja e VLEN-it në Qeveri ka sjellë një ndryshim thelbësor:
“Edhe përkundër numrave që nuk janë në favorin tonë, kemi arritur të sjellim 2-3 ligje në Parlament në favor të shqiptarëve dhe të sigurojmë përfaqësim adekuat si asnjëherë më parë.”
Sipas tij, ky kontekst tregon se VLEN-i po e realizon një përfaqësim historik për shqiptarët, duke garantuar ligje dhe politika që u shërbejnë interesave të komunitetit.