Me rastin e 3 Dhjetorit – Ditës Ndërkombëtare të Personave me Nevoja të Veçanta – kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, mori pjesë në inaugurimin e organizatës “INKLUDIVERSA”, një iniciativë e re e cila synon të krijojë më shumë hapësira të aksesueshme dhe mbështetëse për qytetarët me aftësi të kufizuara.
Mexhiti theksoi se kjo ditë është një kujtesë e rëndësishme se përfshirja, respekti dhe fuqizimi i personave me nevoja të veçanta janë përgjegjësi e përbashkët e gjithë shoqërisë. Ai shtoi se çdo qytetar meriton mundësi të barabarta dhe mbështetje për të zhvilluar potencialin e tij të plotë.
“Krijimi i një mjedisi gjithëpërfshirës është pjesë thelbësore e vizionit tonë për Çairin. Ne punojmë çdo ditë që fëmijët dhe të rinjtë me nevoja të veçanta të gjejnë kujdes, mbështetje dhe mundësi reale për t’u integruar në të gjitha sferat e jetës,” u shpreh Mexhiti.
Inaugurimi i “INKLUDIVERSA”-s u cilësua si një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të politikave dhe shërbimeve që garantojnë më shumë dinjitet, barazi dhe përfshirje sociale për të gjithë qytetarët.




