Izet Mexhiti: Ali Ahmeti nuk u interesua fare për kërcënimet ndaj meje dhe Visar Ganiut!

Izet Mexhiti thotë se kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, nuk është interesuar për kërcënimet ndaj tij dhe kryetarit të komunës së Çairit, Visar Ganiu. Në një intervistë për gazetën LAJM, Mexhiti, tha se Ahmeti në vend se të ndihmonte në ndriçimin e ngarjes, ka bërë të kundërtën duke u angazhuar që rasti të heshtet.

“Me z.Ahmetin nuk kemi kontaktuar më shumë se 7-8 muaj, komunikojmë vetëm përmes mediave, por nuk e ka parë të rrugës edhe në këtë rast ku është i kërcënuar institucioni kryetar komune dhe deputetë të telefonojë apo të merr masa për tejkalimin e situatës. Veprimet kanë qenë në drejtim të mosfunksionimit të prokurorisë dhe gjyqësisë, me vetë faktin që kryetarin e komunës i parashtrojnë dilemën a duhet të bëjë padi private apo zyrtare. Kur kërcënohet një funksionarë, në cilindo shtet ku funksionon shteti ligjor, me vetë paraqitjen e rastit duhet të veprojë prokuroria, MPB-ja, pra në këtë situatë z.Ahmeti dhe ekzekutivi kanë tentuar për t’i heshtur institucionet dhe kjo tregon që institucionet, gjyqësia dhe prokuroria janë të kapura dhe nuk funksionon shteti ligjor”, tha Mexhiti për gazetën LAJM.

Ditë më parë, kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, denoncoi në polici se përmes një telefonate është kërcënuar me jetë nga Muharem Asani. Përveç tij, Ganiu tha se është kërcënuar edhe deputeti Izet Mexhiti, I cili është njëri nga eksponentët kryesor të “Grupit të Zjarrit”./Gazeta LAJM