Ivanovska: Korrupsioni vazhdon të jetë problem serioz

Raporti i Departamentit të Shtetit, i cili vë në dukje se korrupsioni në Maqedoninë e Veriut vazhdon të jetë problem serioz është vërtetim për përvojën me të cilën përballen edhe anëtarët e Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit. Kryetarja e Antikorrupsionit, Biljana Ivanovska, shton se politika edhe më tej ndikon në punësimet që rezulton me njerëz të gabuar në vende kyçe në aparatin shtetëror, por edhe se Qeveria dhe Kuvendi janë të ngadalshëm në zbatimin e rekomandimeve për ndryshime të ligjeve që paraqesin bazë për korrupsion.

Raportet ndërkombëtare vazhdojnë ta vënë në dukje ndikimin politik në vend si rrezik për korrupsion, së bashku me sundimin e pamjaftueshëm të drejtësisë dhe të pandëshkueshmërisë. Kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit, Biljana Ivanovska thotë se këto janë pikat e dobëta për shkak të të cilave Maqedonia e Veriut edhe më tej rradhitet në mesin e vendeve me korrupsion të lartë.

BILJANA IVANOVSKA, KOMISIONI ANTIKORRUPSION

“Të mos e harrojmë edhe integritetin, përkatësisht sa ekziston integriteti personal dhe institucional. Këto janë tri shtyllat më të mëdha në raport me çështjen e korrupsionit. Do të duhej të ekzistojë vetëdije e lartë, përgjegjësi, profesionalizëm në punë, megjithatë edhe vullnet politik që politika të jetë larg profesionistëve dhe t’i lë profesionistët ta çojnë shtetin përpara, secili në fushën e tij.”

Për premtimet e vazhdueshme të politikanëve, se eliminimi i korrupsionit është prioriteti i tyre, Ivanovska thotë “mos luftoni me fjalë, por me vepra”, duke shruar se dy të tretat e rekomandimeve të Antikorrupsionit mbeten të injoruara ose të hedhura poshtë.

BILJANA IVANOVSKA, KOMISIONI ANTIKORRUPSION

“Është kryer një analizë shumë e gjërë e 19 ligjeve që lidhen me të drejtat e diskrecionit gjatë punësimit, te ne problemi më i madh është se nuk ekzistojnë njerëzit e duhur në vendet e duhura. Janë shumë të pranishëm nepotizmi, kronizmi dhe ndikimet gjatë punësimit. Ne e kemi lokalizuar këtë si problem, kemi lokalizuar se autorizimet diskrecionale keqpërdoren dhe kemi vazhduar së bashku me Transparency International, më mbështetje të ambasadës së Holandës, janë dhënë edhe rekomandime për atë që duhet të ndërmerret. Për fat të keq, deri në muajin shtator kur do të bëhet një vit prej kur është prezantuar ajo analizë, ne nuk kemi ndërmarrë aktivitete konkrete. Kemi dëshirrë dhe dëshirojmë të bëjmë diçka, megjithatë ku janë veprat?”

Ivanovska pranon se mentaliteti i korrupsionit është i përhapur te gjithë popullata.

BILJANA IVANOVSKA, KOMISIONI ANTKORRUPSION

“Nuk mund të punohet pa zemër, duhet të punohet me mendje dhe me zemër në qoftë se dëshirojmë rezultate. Me mendje me atë që e kemi mësuar në shkollë, megjithatë me zemër, me ndjenjë për drejtësi, kjo është diçka që mësohet në shtëpi, është integritet. Nuk mund të bëhen kalkulime për çdo vend – çfarë do të fitoj, çfarë përfitime, çfarë privilegje do të kem. Duhet të punohet për vete, për popullin, për shtetin, të gjithë punojmë për një kompani.”

Përvoja e Ivanovskës tregon se edhe më tej mundësia më e mirë për punësim, posaçërisht në aparatin shtetëror është anëtarësimi në partitë politike, në vend të aq të premtuarit “sistem të meritave”, përkatësisht arsimi, dituria dhe përvoja. /KlanMacedonia