“Ardhja e ekipit nga Uashingtoni është brengosëse sepse ne nuk i kemi bërë detyrat e shtëpisë. Të gjitha indikacionet dhe rekomandimet që kemi marrë nga faktorët e huaj nuk janë marrë seriozisht dhe për këtë po na ndodh kjo me ekipin e sanksioneve nga Uashingtoni që do të hetojë korrupsionin në vend”.
Këtë e tha kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska, me rastin e 9 dhjetorit – Ditës ndërkombëtare për luftën kundër Korrupsionit.
“Në periudhën e ardhshme do të sqarohen të gjitha këto dilema, pse dhe si erdhën, për ne është brengosëse sepse nuk i kemi kryer të gjitha detyrat e shtëpisë”, theksoi Ivanovska dhe shtoi se korrupsioni i lartë do të jetë i vështirë për t’u çrrënjosur.
Ajo thotë se Maqedonia si kandidate serioze për anëtarësim në Bashkimin Evropian ka problem me sistemin gjyqësor dhe është e nevojshme të zgjidhet ai problem dhe këtë e mbështesin amerikanët.
“Na japin në një farë mënyre një nxitje dhe ndihmojnë për ta tejkaluar atë problem dhe për të ecur më lehtë drejt rrugës evropiane”, tha Ivanovska.
Lidhur me atë se a do të kenë takim me ekipin nga Uashingtoni, Ivanovska theksoi se ende nuk kanë informacione të sakta nëse do të kenë fare takim me ta.