ITSHKSH-së i shtohen edhe gjashtë Departamente rajonale të trashëgimisë kulturore

Drejtori i ITSHKSH, prof.dr. Skender Asani, është shprehur i kënaqur ,
pasi që përpos gjashtë departamente rajonale të trashëgimisë kulturore,
në kuadër të ITSHKSH-së në të ardhmen do të funksionojnë edhe
Departamenti i Mërgatës si dhe Qendra multimediale dhe dokumentare

Shkup, 21 mars, 2023 – Sot në mbledhjen e Qeverisë së MV ka kaluar
propozim-projekti i ITSHKSH për formimin e gjashtë departamenteve
rajonale të Trashëgimisë kulturore shqiptare. Gjithashtu janë miratuar
edhe propozim-projektet për formimin e Departamentit të Mërgatës dhe
Qendrës multimediale dhe dokumentare në kuadër të ITSHKSH.

Drejtori i ITSHKSH, prof.dr. Skender Asani, është shprehur i kënaqur,
duke falënderuar me këtë rast liderin e BDI-së, Ali Ahmetin, për
mbështetjen e pa rezervë të këtyre projekteve, ZvKryeministrin e parë,
Artan Grubin, për menaxhimin dhe bashkërendimin e procesit dhe Jeton
Shaqirin, ministër i Arsimit dhe Shkencës, për finalizimin e
implementimit institucional të këtyre propozim-ideve.

“Ky është kurorëzim i një pune shumëvjeçare që ka për qëllim
rrumbullakimin dhe plotësimin e kuadrit ligjor për një veprimtari më të
gjerë kërkimore-shkencore në terren dhe përgatitje e një faze të re të
punës sonë që si objektiv kryesor do të ketë zgjerimin e fushëveprimit
tonë gjithkund ku ndodhet trashëgimia jonë shpirtërore e kulturore. Në
të ardhmen presim që me ekipimin e kuadrit të specializuar të zhvillojmë
një sërë projektesh që përpos karakterit shkencor, do të kenë edhe
karakter edukativ e njohës për gjeneratat e reja, të cilat duhet të jenë
në korrent me historinë dhe trashëgiminë kulturore në trevat ku ata
banojnë”, dekaroi Asani.

Me vendimin e sotëm të Qeverisë, ITSHKSH-së do t’i shtohen gjashtë
departamente rajonale të trashëgimisë kulturore, duke filluar nga
Manastiri (Rajoni i Pellagonisë), ku do të ngrihet Departamenti rajonal
i trashëgimisë kulturore me emrin “Qiriazët”, pastaj pellgu i Ohrit dhe
Strugës – Departamenti rajonal “Dervish Hima”, rajoni i Rekës së Epërme
me qendër në Dibër, që do të mbaj emrin e Josif Bagerit , rajoni i
Kërçovës – “Nëna Shqiptare”, rajoni i Pollogut në Tetovë – “Deralla”, si
dhe Departamenti rajonal i Kumanovëe -“Jashar Erebara”, që do të
përfshijë rajonin e rrafshit të Kumanovës dhe Karadakut.

Secili prej këtyre departameneteve rajonale i ka specifikat e veta dhe
jo rastësisht i kanë emërtimet që iu përkasin atyre specifikave. Kështu,
bie fjala, në Manastir dihet mirëfilli kontributi historik i familjes
Qiriazi dhe për rrjedhojë emri që do të mbaj Departamenti rajonal në
këtë qytet ndërlidhet me historinë lavdishme të kësaj familjeje.

Pastaj e kemi rilindësin Dervish Hima nga Ohri, një patriot intelektual
që radhitet bashkë me firmëtarët tjerë të Pavarësisë së Shqipërisë, i
njohur me penën e tij të spikatur si publicist dhe botues. Dhe jo
rastësisht emrin e tij do ta mbajë Departamenti rajonal i Pellgut të
Ohrit dhe Strugës.

Vjen pastaj Rajoni i Rekës së Epërmes që do të mbaj emrin e veprimtarit,
poetit dhe publicistit Josif Bageri, i cili u angazhua edhe për
bashkëpunimin në mes të popujve të Ballkanit në frymën e Rilindjes
Evropiane.

Në Kërçovë do ta kemi simbolin e sakrificës shekullore – “Nëna
Shqiptare”, një atribut ky që do të arsyetojë fushëveprimin e
Departamenti rajonal të trashëgimisë kulturore, duke sublimuar të gjitha
virtytet e shenjta të nënës shqiptare, ky burim i pashtershëm frymëzimi
dhe pjellorie ndër shekuj.

Rajoni i Pollogut ka dhënë shumë figura të shquara që i kanë kontribuuar
progresit dhe dinjitetit ndër shekuj, andaj është përzgjedhur që
Departamenti rajonal i trashëgimisë kulturore që do të mbuloj këtë
rajon, me seli në Tetovë, të ketë emrin “Deralla”, një personifikim ky i
sakrificave dhe aspiratave liridashëse të banorëve të këtij rajoni dhe
më gjerë.

Në janar të vitit 1909, me nismën e atdhetarit dhe publicistit , Jashar
Erebara, themelohet “Klubi i Kumanovës”, i cili është cilësuar edhe si
vatra e parë e arsimit shqip në këto treva. Me themelimin e këtij klubi
dalin në ndritë personalitete dhe ngjarje të tjera që kanë rëndësi
historike për trevën shqiptare të Kumanovës. Prandaj edhe Departamenti i
trashëgimisë kulturore të këtij rajoni jo rastësisht do të mbaj emrin e
Jashar Erebarës.

Në kuadër të ITSHKSH në të ardhmen do të funksionojnë edhe Departamenti
i Mërgatës si dhe Qendra multimediale dhe dokumentare.

Duke themeluar Departamentin e Mërgatës, ITSHKSH synon që të ofroj një
shikim të ri sa i përket trajtimit të mërgatës sonë, e cila duhet të
jetë më e lidhur me vendlindjen, duke kontribuar kështu në dy plane: në
njërën anë, vendlindja përfiton nga përvoja dhe mirëqenia e mërgatës,
kurse kjo e fundit përfiton nga vendlindja edukimin dhe traditën.

Ndërkaq Qendra multimediale dhe dokumentare do të jetë një shtyllë
ndihmëse e ITSHKSH në dokumentimin dhe arkivimin digjital të
trashëgimisë sonë materiale e shpirtërore, një përvojë kjo e njohur e
instituteve botërore të cilët kanë edhe produksionet e tyre, shembull ky
që do të ndiqet edhe nga ITSHKSH.