ITSHKSH, me përvoja të reja nga qendra mandel për studime të avancuara të Holokaustit në Uashington

Uashington, 21 shtator – Një delegacion shkencor nga Instituti i Trashëgimisë
 Shpirtërore e Kulturore dje vizitoi  Qendrën Mandel për studime të avancuara të
holokaustit, në kuadër të Muzeut Memorial të Holokaustit të Shteteve të Bashkuara të
Amerikës në Uashington dhe u prit nga udhëheqësit e kësaj qendreje,  Emil Kereni dhe
Andrea Betraud.

Këtij delegacioni po i prin drejtori i ITShKSh-së, prof.dr. Skender Asani, i shoqëruar nga
hulumtuesja shkencore e Departamentit për kujtimin dhe edukimin e Holokastit në
kuadër të ITShKSh-së, Maja Susha dhe Elmedina Asani nga shoqata “Acta non Verba”.

Drejtori Asani prezantoi punën dhe veprimtarinë shkencore të ITShKSs-së, me theks të posaçëm
ai foli për aktivitet e Departamentit të kujtimit dhe edukimit të Holokaustit, me ç’rast i
shpalosi përvojat e deritanishme të këtij departamenti, që është i vetmi në rajon dhe më
gjerë në Evropën Јuglindore.

Nga ana e Qendrës Mandel për studime të avancuara të holokaustit u ofrua një
gatishmëri e bashkëpunimit sa i përket fushës së hulumtimit  dhe ngritjes profesionale
të kuadrit të Departamentit të kujtimit dhe edukimit të Holokaustit të ITShKSh-së.
Stafi dhe studiuesit e Qendrës Mandel kanë një përvojë të gjatë në fushën e ekspertizës
shkencore në histori, arkeologji, studimet e filmit, studimet hebraike, filozofi, shkencat
politike, studimet krahasuese të gjenocidit, dhe të tjera.

Delegacioni shkencor i ITShKSh-së, që po mbështetet nga Ministria e Kulturës si dhe
 Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në kuadër të vizitës në Muzeun Memorial të
Holokaustit të Shteteve të Bashkuara në Uashington, pati mundësinë të njihet nga afër
me mënyrën e trajtimit të temës së holokaustit, duke qenë prezent në sektorin e
hulumtimit, në sektorin e ekspozimit, në atë të konzervimit dhe përpunimit të
dokumenteve.

Drejtuesit e Qendrës Mandel për studime të avancuara të holokaustit u zotuan se në të
ardhmen do të ndihmojnë ITShKSh-në me programe dhe projekte  konkrete, duke iu
mundësuar punonjësve shkencor të këtij Instituti zgjerimin e përvojës së tyre me
njohuritë e reja nga kjo Qendër e rëndësishme për studime të avancuara të holokaustit.

Në vazhdim të kësaj vizite, sot (e martë), delegacioni shkencor nga ITShKSh-ja do të
ketë takim me përfaqësuesin nga Instituti Levine për edukimin e holokaustit, në kuadër
të Muzeut Memorial të Holokaustit të Shteteve të Bashkuara në Uashington.