Italia planifikon trajtimin e të sëmurëve nga Kovid-19 me antitrupat e të shëruarve

Mjekët italianë planifikojnë të fillojnë përdorimin e plazmës së gjakut nga ata që janë shëruar nga Kovid-19, për t’ju ndihmuar atyre që janë më të sëmurë në spitale.

Gjatë gati një muaji, Italia ka pasur më shumë vdekje të koronavirusit se çdo vend tjetër në botë, por tani mjekët shpresojnë se vuajtjet e tmerrshme të njerëzve të këtij vendi do t’i kthejnë në një drejtim tjetër, transmeton Si-En-En.

“Diçka e mirë mund të dalë nga kjo,” deklaroi dr. Fausto Baldanti.

Ai shtoi se Italia kishte një epidemi aq të madhe sa që tani e ka potencialin e plotë të donatorëve.

Personat që janë shëruar nga infeksioni ose janë pozitivë në virusin, por nuk kanë treguar asnjë simptomë, zhvillojnë antitrupa në plazmën e gjakut. Këto antitrupa mund të injektohen në një pacient tjetër, ku mund të ndihmojnë në neutralizimin e virusit në trupin e pranuesit. /MIA/