Ismaili: I dham fund etnizimit të Kulturës me projekte si “Shkupi 2014”

Intervistë e ministrit të Kulturës Hysni Ismaili për stav.ba ku flet gjerë e gjatë për punën e bërë në kthimin e barazisë kulturore si dhe për bashkëpunimin rajonal kulturor

Ne jetojmë në një hapësirë ​​të karakterizuar me kulturë e pasur, letërsi të krijuar në disa gjuhë dhe art që ka frymëzuar shumë artistë të mëdhenj. Sidoqoftë, mund ta vërejmë se pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit po përballen me mungesë kronike të fondeve, pa të cilat të gjitha këto suksese janë të pamundura për t’u prezantuar në nivel global. A mund të shndërrohet një situatë e tillë në një mundësi për ta përmirësuar bashkëpunimin kulturor midis vendeve të këtij rajoni, me qëllim të paraqitjes së thesareve kulturore në nivel evropian dhe botëror?

Ismaili: Fatkeqësisht, këtë intervistë po e realizojmë në kushte të pandemisë dhe nuk mund të flasim me një optimizëm të madh, por duhet të theksoj se jam dakord që të gjithë kemi më shumë vlera shpirtërore dhe kulturore, për të cilat mund të jemi krenarë dhe për të cilat ne vetë nuk jemi të vetëdijshëm se jetojmë me to dhe pranë tyre dhe, aq më pak, që ta kemi njoftuar botën me to. Në fakt, sa herë që unë duhet të flas për vlera kulturore, më kujtohet filmi dokumentar i Adela Peevës “E kujt është kjo këngë”, në të cilin në mënyrën më plastike është shprehur diversiteti ynë kulturor dhe, në të njëjtën kohë, ngjashmëritë tona. Sipas shembullit të kësaj kënge, për ne është e pashmangshme të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, sepse të gjithë ne kemi vlera të njëmendta dhe të veçanta, për të cilat jam i sigurt se do të ngjallnin interes për publikun kulturor botëror. Nëse duam t’i përgjigjemi pyetjes së Adela Peevës, ne mund ta bëjmë atë vetëm përmes bashkëpunimit të ndërsjellë kulturor.

A mund të na flisni më shumë rreth politikave kulturore dhe strategjive për investime në kulturë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe për shkallën në të cilën këto strategji përfshijnë bashkëpunimin me vendet e tjera të rajonit?

Unë mendoj se publiku tashmë e di që ne erdhëm në krye të Ministrisë së Kulturës pas pothuajse pesëmbëdhjetë vjetësh që kur kultura ishte etnizuar dhe ishte përvetësuar për qëllime nacionaliste, siç është projekti “Shkupi 2014”. Ne kishim për detyrë të merrnim masa për përmirësimin e jetës kulturore. Prandaj, përmes programit vjetor nacional në vitin 2019 dhe 2020, por edhe me programe të tjera kulturore, të mbështetura nga Ministria e Kulturës, ne jemi munduar ta çlirojmë kulturën nga kthetrat e nacionalizmit dhe njëmendësisë. Dhe, sipas meje, ne ia kemi dalë në këtë. Institucionet kulturore nacionale dhe shoqatat e tjera kulturore janë veçanërisht mirënjohëse për ndarjen tonë të fondeve dhe unë mund të jem i kënaqur që kemi hapur një faqe të re për kulturën në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e cila – duhet të theksoj – është një shoqëri multikulturore, multietnike dhe multikonfesionale. Për më tepër, angazhimi ynë ishte që kultura të mos përqendrohet vetëm në qendrat kryesore urbane, por të përhapet në të gjitha pjesët e vendit, me qëllim që jeta kulturore të jetë sa më e afërt për çdo qytetar.

Ismaili: A ka mundësi aplikimi për projekte të përbashkëta të vendeve të Ballkanit në fonde të Bashkimit Evropian për kulturë, por edhe drejt Turqisë, kjo duke pasur parasysh se këto vende, në një masë më të madhe ose më të vogël, janë trashëgimtare të një kulture të përbashkët osmane?
3. Përderisa unë jam në krye të Ministrisë së Kulturës, kemi dëshmuar se nuk kemi asnjë paragjykim për këtë lloj bashkëpunimi. Siç e dimë tashmë, fondet evropiane për kulturë janë më lehtë të arritshme nëse për projekte të përbashkëta në to aplikojnë aplikues nga disa vende. Ne jemi të gatshëm dhe kërkojmë partnerë të tillë për bashkëpunim. Fatkeqësisht, situata me pandeminë ka krijuar kufizime, por ne tashmë kemi hyrë në kontakt me fonde të tilla dhe shpresoj se kemi hapur një mundësi të re për të gjitha institucionet dhe shoqatat tona kulturore për aplikimin në fonde të tilla.
Këtu, para së gjithash, e kam fjalën për programin “Evropa Kreative – Industria Kreative”, e cila nënkupton aplikimin në projekte që BE-ja i mbështet me 80%, ndërsa Ministria me pjesën tjetër.
Sa i përket Republikës së Turqisë, mund të them që unë kam qenë në vizitë në Ministrinë e Kulturës të Republikës së Turqisë, ku me Ministrin Mehmet Nuri Ersoj biseduam për bashkëpunimin në fushën e kulturës. Ne presim që një bashkëpunim i tillë të institucionalizohet më shumë, ndërsa deri atëherë ne vazhdojmë t’i mbështesim projekte që propozohen nga institucionet, shoqatat ose artistët tanë vendas për pjesëmarrje në aktivitete kulturore në Republikën e Turqisë. Dhe, deri më tani kjo është zhvilluar në mënyrën më të mirë. Këtu e kam fjalën për pjesëmarrje në panairet e librit në Turqi, në ekspozita dhe shfaqje të Maqedonisë së Veriut, të cilat prezantohen në Turqi.
Kur flasim për trashëgiminë e pasur osmane, mund të themi se kjo është një detyrë që vazhdon t’i presë shkencëtarët tanë, që ta studiojnë dhe prezantojnë atë para publikut. Prandaj roli i Turqisë në projekte të tilla është vendimtar.

Ju gëzoni respekt në mesin e komunitetit boshnjak në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Keni ndihmuar shumë projekte në lidhje me ruajtjen e kulturës boshnjake dhe e flisni rrjedhshëm boshnjakishten. Fundja, ju jeni një student i Tuzllës. Si i vlerësoni aktivitetet kulturore të komunitetit boshnjak në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në cilat fusha është e mundur të përmirësohen këto aktivitete me mbështetjen e ministrisë suaj?

Në fillim thashë që derisa flasim për kulturë, nuk jam i prirë nga asnjë paragjykim. Ndoshta është hera e parë në historinë e Ministrisë së Kulturës që gjatë miratimit të programit nacional për vitin 2020 në sektorin e projekteve ndërkombëtarë ne kemi vendosur një kryetar boshnjak në komision, të cilit ia besuam këtë detyrë jo për shkak të përkatësisë etnike, por sepse ishim të bindur se ai ishte eksperti më i përshtatshëm për të marrë vendime të tilla. Në atë drejtim, ne jemi të përkushtuar për të gjitha komunitetet në vendin tonë. Ndoshta kjo është “e meta” ime studentore ose një lloj shlyerje e borxhit ndaj Bosnjës, nga e cila kam mësuar shumë në jetë, por unë kam një respekt të veçantë për vëllezërit tanë boshnjakë. Sa i përket organizimit të tyre, mendoj se ata janë mirë të organizuar, kanë më shumë organizata që respektohen në shoqërinë tonë dhe ku unë shkoj me kënaqësi të veçantë. Ne nuk mund t’u tregojmë atyre se çfarë duhet të bëjnë. Ata e dinë më mirë. Por, ne jemi këtu për ta vlerësuar dhe mbështetur punën e tyre. Dyert tona janë të hapura për të gjithë, pra edhe për organizatat e komunitetit boshnjak.

Në kohën kur çështja e gjuhës bosnjake është politizua mirë deri në prirjen për ta quajtur atë atë gjuhë boshnjake theksohet, ju u drejtoheni boshnjakëve në bosnjakisht. A nuk është ky një mesazh i qartë për komunitetin kulturor në Republikën e Maqedonisë së Veriut që diskutimet mbi këtë temë janë të panevojshme?

Ismaili: Mendoj se për këtë temë unë më së paku mund të flasë. Kjo është tema e brendshme e vetë boshnjakëve dhe unë do ta respektoj vendimin e tyre. Sigurisht që për mua ka një komb të veçantë boshnjak dhe një gjuhë të veçantë boshnjake, sido që ta emërtojnë ata vetë pastaj.
Para së gjithash, besoj se unë si shqiptar për nga përkatësia kombëtare dhe një doktor me profesion, nuk jam kompetent të shpreh pikëpamjet e mia për këtë çështje. Për këtë temë është më e përshtatshme të dëgjohen mendimet e leksikologëve boshnjakë, politikanëve dhe të tjerëve që janë më të thirrur. Gjithë çfarë duhet të bëj unë është të bindem në përfundimet e tyre. Sido që ta quash atë gjuhë, mua personalisht nuk më pengon, pasi unë edhe në të ardhmen do ta përdor po atë gjuhë që e kam njohur dhe folur më parë.

Organizatat kulturore të Bosnjës dhe Hercegovinës, në bashkëpunim me ministrinë që ju drejtoni, deri tani kanë realizuar një numër të madh projektesh kulturore. A mund t’i prezantoni më detajisht  aktivitetet e tyre për lexuesit tanë?

Ismaili: Shihni, jam i sigurt se ekzistojnë më shumë projekte të mbështetura nga komuniteti boshnjak, ka më shumë libra dhe projekte në fushën e folklorit, por duhet ta dini se janë mbështetur mijëra projekte dhe besoj se do të pajtoheni se është e pamundur t’i mbaj mend të gjitha. Por, nga mesazhet falënderuese që më vijnë, mendoj se janë të kënaqur.

Ju jeni një nga themeluesit e shtëpisë botuese më të rëndësishme në trevën shqipfolëse, LOGOS-A nga Shkupi. Sa botime nga autorët boshnjakë janë përkthyer në shqip dhe në maqedonisht?

Ismaili: Marrëdhënia ime me SHB “Logos-A” është vetëm gjatë themelimit të kësaj shtëpie botuese, ndërsa më pas është vetëm konsultuese. Ajo drejtohet nga miku im Adnan Ismaili. Mendoj se puna e tij flet më shumë për personalitetin e tij. Në fakt, “Logos-A” ka botuar dhjetëra libra të përkthyer nga gjuha boshnjake dhe nga autorë boshnjakë. Ato janë nga disa fusha: filozofia, religjioni, letërsia etj. Do ta përmend këtu serinë e veprave të Alija Izetbegoviqit, që u botuan njësoj si versioni boshnjak. Pa dyshim se ndër librat e parë nga “Logos-A” janë librat e përkthyer nga autorët boshnjakë si Hasan Çengiq, Munir Gavrankapetanoviq, Mehmet Hanxhik etj., ndërsa së fundmi i kam parë emrat e autorëve si Ferid Muhiq me “Identitetin Islam të Evropës”, por edhe veprave e autorëve të tjerë, si Enes Kariq, Xhemaludin Latiq, Ahmet Alibashiq etj. Pa dashur ta ekzagjeroj, unë do të thosha se ambasadori më i mirë i kulturës boshnjake në Maqedoni është pikërisht Logos-A.

Në kohën kur Maqedonia mirëpriti refugjatët nga Bosnja dhe Hercegovina dhe kur të gjithë përpiqeshin të ndihmonin me ushqim dhe veshje, thuhet se ju keni dërguar libra në kampet e refugjatëve. Sa është i rëndësishëm versioni i shtypur i librit sot dhe çfarë mund të bëjnë autoritetet për t’ua lehtësuar botuesve? Më konkretisht, cilat janë projektet e ministrisë suaj në këtë fushë?

Ismaili: Ato janë kohë nostalgjike. Sepse qenia njerëzore nuk është e uritur vetëm për bukë.
Sidoqoftë, pasi ne ende e vlerësojmë librin si version të shtypur, Ministria e Kulturës çdo vit mbështet qindra botues që i shtypin botimet e tyre.
Pra, buxheti i shtetit e subvencionon librin e shtypur. Sigurisht që ka botime elektronike, por ato janë në numër më të vogël. Në kohë të pandemisë aktivitetet kulturore janë reduktuar vetëm në prezantime online dhe unë e shoh se ka botues, si dhe Logos-A, që i ofrojnë botimet e tyre falas dhe në versione elektronike. Pra, në një kohë kur të gjithë qëndrojmë në shtëpi, botuesit po e ndihmojnë në këtë mënyrë kulturën e leximit dhe Ministria vazhdon t’i mbështesë përpjekjet e tilla.

Ju jeni i lidhur emocionalisht me Bosnjë dhe Hercegovinën. Çfarë duhet të bëhet për t’i ripërtërirë lidhjet intelektuale dhe kulturore midis Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut?

Ismaili: Po, jam dakord se për gjeneratën time Bosnja ishte dashuria e parë nga këndvështrimi i shkencës dhe kulturës. Fatkeqësisht, pas luftës, lidhjet e tilla thuajse u ndërprenë. Mundohet Logos-A dhe ndonjë tjetër për t’i rikthyer ato, por e shoh se ajo bëhet gjithnjë e më vështirë. Unë jam i vetëdijshëm për vështirësitë dhe kufizimet, të cilat sigurisht janë shkaktuar nga kufijtë e rinj, por mendoj se kultura është përtej kufijve. Ne duhet të gjejmë mënyra për të komunikuar sa më shumë me njëri-tjetrin dhe për të zhvilluar frymë të bashkëpunimit vëllazëror. Sidoqoftë, unë mendoj se boshnjakët pak e njohin kulturën shqiptare dhe kjo është për shkak të interesit të vogël nga Bosnja. Megjithatë, unë do të përpiqem dhe nuk do të heq dorë nga angazhimi për t’i përforcuar këto lidhje kulturore.

Dhe, në fund, është pak e njohur se ju jeni një njohës i shkëlqyer i trashëgimisë intelektuale të Alija Izetbegoviqit. A i kemi kuptuar saktë mendimet e tij?

Ismaili: Unë mendoj se Alia Izbegoviqi e jetoi jetën e tij para kohe. Një njeri me performansa të tilla intelektuale, për fat të keq, më shumë po vlerësohet pasi që u nda nga kjo botë. Unë i kam lexuar të gjitha veprat e tij, e njohë në detaje rrugëtimin e jetës së tij dhe të jeni të bindur se Bosnja duhet të krenohet me emrin e tij. Veprat e tij edhe sot lexohen sikur të jenë të shkruara në ditët tona dhe ngjallin debat shkencor në qarqet e sotme akademike, ndërsa – të mos harrojmë – ato janë libra të shkruara në vitet e ‘70-ta dhe ‘80-ta të shekullit të kaluar. Ne kemi mësuar shumë nga ai dhe unë personalisht jam shumë falënderues. Në kohën kur libri ishte pothuajse mjet ilegal, Aliu shkruante dhe nën rrethana të kufizuara. “Da te nije Alija” (“Të mos ishte Alija” është varg nga një këngë e Dino Merlinit – Shqipëruesi)

Marrë nga: Stav.ba
Përkthyer nga: Lajm

Loading...