“Ishim shumë mirë, papritmas ‘lindi’ Albin Kurti dhe do të shkatërrojë gjithçka”, Ivica Daçiq i brengosur…

Kryeministri Albin Kurti sot për herë të parë do të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Takimi i së martës është i pari ndërmjet presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti.

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq para takimit ka thënë se ekziston presion i madh por se Serbia, siç është shprehur ai, nuk është më aq e dobët sa nuk mund të përgjigjet.

Daçiq për TV Prva tha se nuk pret asgjë pozitive nga dialogu.

Ai u shpreh se negociatat po shkonin drejt një kompromisi të mundshëm, por se atëherë ndodhi një ndryshim.

“Disa njerëzve po u pengonte që po shkonim drejt kompromisit, dhe pastaj “lindi” Albin Kurti me dëshirën për të minuar të gjitha ato. Pastaj u vendos taksa, që e stopoi dialogun. Ne nuk duhet të habitemi nga ato që janë duke u thënë. Këto janë shfaqje për politikën e brendshme dhe kanë një mbështetje tek perëndimi… Pse do të pajtoheshin ata për kompromis, kur mendojnë se morën gjithçka. Ata mendojnë se i morën të gjitha me bombat e NATO-s”, citohet të ketë thënë Daçiq.

Kujtojmë se sot, në orën 12:30 është paralajmëruar një konferencë për media e përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Prishtinë – Beograd dhe çështje tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak rreth procesit të dialogut.