Wayne Rooney ka përqeshur deklaratën e Ruben Amorim në të cilën tekniku portugez pretendon se qëllimi i Manchester United është ta fitojë Ligën Premier, duke i cilësuar këto aspirata si ‘naive’.
Sezoni i tmerrshëm i United mori një tjetër goditje të rëndë pasi ata u eliminuan në shtëpi nga Fulhami në kuadër të FA Cup pas ekzekutimit të penalltive.
Sidoqoftë, pas ndeshjes Amorim insistoi se Unitedi ka ende ambicie të mëdha dhe se qëllimi i tyre është ta fitojnë Ligën Premier.
Me këtë deklaratë të tij nuk u pajtua Wayne Rooney, golashënuesi më i mirë në histori të ‘Djajve të Kuq’, i cili hodhi poshtë këto pretendime të tij.
“Ai thotë ta fitojmë Ligën Premier, si mund të konkurrojnë ata? Për të shkuar më lartë në tabelë, ky është mendoj hapi i ardhshëm për ta”.
“Trajnerët nuk po e marrin kohën e duhur për 10-15 vite. Mendoj se është pak naive që të thuash ne po synojmë ta fitojmë Ligën Premier për shkak të asaj se ku janë tani dhe janë shumë larg asaj”, ka thënë Rooney.
Drejtorët e Unitedit duke përfshirë edhe atë të INEOS, Sir Dave Brailsford, kanë qenë duke punuar në ‘Misionin 21’, sipas të cilit plani i klubit është që ta fitojnë titullin e 21-të në histori më së largu në vitin 2028.
Duke marrë parasysh se United është eliminuar nga FA Cup dhe Carabao Cup teksa renditet në pozitën e 14-të në Ligën Premier me pothuajse asnjë mundësi për të siguruar Evropën nga kampionati, Liga e Evropës është gara e vetme në të cilën ata pritet të fokusohen.
Në misionin për ta fituar këtë garë, United do të ketë përballë Real Sociedadin të enjten.