Ish-këshilltari i Mustafës përfitoi 100 mijë euro nga Qeveria Hoti, por ai ka deklaruar 15 milionë euro pasuri

Gjatë ditës së djeshme u bë e ditur që qeveria paraprake, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, në kohën e pandemisë kishte ‘shpërblyer’ edhe kompaninë e ish këshilltarit të Isa Mustafës, Besnik Berisha.

Ministri Hekuran Murati deklaroi dje se gjithsejt 50 biznese kishin përfituar 60 milionë euro nga pakoja e rimëkëmbjës së hartuar nga Qeveria Hoti.

E në mesin e atyre që përfituan është edhe kompania e sigurisë ‘Balkan International SHPK’ që për drejtor dhe pronar ka Besnik Berishën, dikur këshilltar i ish-kryeministrit Isa Mustafa kur ky i fundit udhëhiqte Qeverinë e vendit.

Kompania e Berishës, që merret me ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ka përfituar mbi 100 mijë euro nga Qeveria Hoti.

Besnik Berisha në kohën kur ishte këshilltar i Mustafës kishte deklaruar pasurinë e tij, që kap vlera marramendëse.

Tek pasuria e paluajtshme duke përfshirë dy shtëpi, tri banesa, një depo e toka bujqësore, kapin vlerën mbi 13 milionë euro. E gjithë pasuria thuajse është në emër të tij, ashtu siҫ ka deklaruar vetë Berisha.

Tek pasuria e paluajtshme ai kishte deklaruar tri vetura luksoze, një BMW-70 në vlerën 65 mijë euro, një Motor BMW në vlerën 15 mijë euro dhe një xhip Opel Monterey në vlerën 6 mijë euro të gjitha në pronësi të tij.

Paratë e mbajtura në bankë që Berisha i ka deklaruar kalojnë vlerën mbi 1 milionë e 200 mijë euro. Ndërkaq të hyrat vjetore të tij arrijë vlerën reth 350 mijë euro.

Pasuria e tij në total llogaritet të jetë rreth 15 milionë euro, derisa nga Qeveria Hoti kishte përfituar në kohë pandemie 100 mijë euro./Bota sot