Ish-anëtari i administratës së Trumpit qëllohet me armë, po priste gruan në veturë kur sulmuesi tentoi t’ia vjedhë mjetin

Anëtari i administratës së ish-presidentit amerikan Donald Trump, është në gjendje kritike pasi është qëlluar me armë në Washington D.C gjatë një tentim vjedhje të veturës së tij, ka njoftuar familja e tij.

Fox News raporton se Mike Gill është sulmuar të hënën rreth orës 17:45.

Sulmuesi ishte futur në veturën e Gill, duke e qëlluar dhe larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Nga policia kanë bërë të ditur se tentim vjedhja e veturës së Gill, ishte një ndër shumë rastet dhe incidentet e ngjashme që kishin ndodhur të njëjtën natë në kryeqytetin amerikan.

Gill ishte viktima e parë e një sulmi të tillë, ka bërë të ditur Erica Richardson, zëdhënësja e familjes Gill. Ajo për Daily Beast ka konfirmuar se Gill gjendet në spital.

Në anën tjetër, zëdhënësi i policisë në D.C, ka njoftuar se ai mbetet në gjendje kritike pas sulmit me armë.

Në raportin e policisë përmendet se ai ka pësuar lëndime “të rrezikshme për jetën”, duke mos zbuluar identitetin e viktimës.

Nga viti 2016 deri në vitin 2019, Gill ishte shef i stafit të J. Christopher Giancarlo, në atë kohë kryetar i Komisionit të Tregtisë së Mallrave të SHBA-së.

Gill u sulmuar në veturën e tij derisa po priste gruan para vendit të saj të punës.

Dëshmitarja Yolanda Douglas ka thënë për Washington Post se ka parë viktimën e shtrirë në tokë i mbuluar në gjak, me njërën këmbë që i qëndronte e varur akoma brenda veturës.