Isa Mustafa përkujton Enver Malokun, kërkon zbardhjen e vrasjeve të veprimtarëve të LDK-së

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka përkujtuar veprimtarin Enver Maloku, në 21 vjetorin e vrasjes së tij më 11 janar 1999.

Mustafa ka thënë se sot kujtojmë njërën nga figurat kolosale të LDK-së, intelektualin dhe zërin e lirisë, Enver Maloku.

“Kontributi i Enverit, si drejtues i Qendrës për Informim e Kosovës ishte i pazëvendësueshëm. Ishte meritë e Enver Malokut, që në kohë të okupimit të egër serb e luftës së ashpër, fjala u shqiptua guximshëm e pacenueshëm dhe institucioni që drejtoi ai, punoi si kurrë më parë në histori, në informimin dhe sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar për krimet që po ndodhnin në Kosovën e viteve të 90-a”, ka thënë Mustafa.

Kryetari i LDK-së është shprehur se puna e Enver Malokut i ka penguar qarqeve antishqiptare.

“E duket se kjo punë fisnike e atdhetare, po ia zinte rrugën qarqeve antishqiptare – dhe më 11 janar 1999, pranë banesës së tij, ai u vra tinëzisht në prani të familjes së tij”, ka thënë Mustafa.

Tutje kreu i LDK-së ka bërë thirrje që të ndriçohen vrasjet e veprimtarëve të LDK-së

“Edhe pas dy dekadave, vrasja e Enver Malokut mbetet e pandriçuar dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kërkon me ngulm që secila vrasje e veprimtarëve të LDK-së, të zbardhet deri në fund”, ka thënë Mustafa./GazetaExpress/