Ironi dhe revoltë në Manastir: Qytetarët kthejnë mbrapsht dëmshpërblimin e tërmetit, morën vetëm 12 euro pas 4 vitesh pritje

Një banore e Manastirit, e zhgënjyer nga shuma qesharake prej 1.270 denarësh (rreth 20 euro) që i është paguar si dëmshpërblim për tërmetin e vitit 2022, ka vendosur t’i kthejë paratë mbrapsht. Ajo i ka vendosur ato në një zarf dhe i ka dorëzuar në sportelin e Komunës së Manastirit.

​„Kjo ishte mënyra ime për të shprehur revoltën ndaj kësaj shume fyese, duke pasur parasysh dëmtimet e mëdha që pësoi shtëpia ime. Meqë nuk mund t’i ktheja në thesarin e shtetit, i dorëzova në komunë bashkë me një letër ku jam nënshkruar,” deklaroi ajo.

​Skandali i shifrave: 12 euro për qytetarët, mijëra euro për komisionerët

​Pas katër vitesh pritje nga tërmeti i 9 janarit 2022, banorët e Manastirit mbetën të shokuar kur panë llogaritë e tyre bankare. Mesatarja e dëmshpërblimit ishte vetëm 700 denarë (rreth 11-12 euro), ndërsa disa nuk morën as 100 denarë. Kjo ndodhi pasi Qeveria vendosi të paguajë vetëm 5% të vlerës së vlerësuar të dëmit.

​Nga ana tjetër, të dhënat e portalit “Open Finance” zbulojnë një realitet tjetër për hartuesit e këtyre vlerësimeve. Komuna e Manastirit u ka paguar 7 anëtarëve të Komisionit për Vlerësimin e Dëmeve shuma që shkojnë nga 1.600 deri në 2.400 euro për person. Në total, komisionerët morën rreth 14.000 euro, një shumë shumë herë më e lartë se ajo që u shpërnda për 2.342 qytetarët e dëmtuar.

​Thirrje për bojkot

​Gabriela Ilievska nga iniciativa “Më ndryshe” u ka bërë thirrje të gjithë manastirasve që t’i bashkohen kësaj nisme.

„Manastirasit kanë qenë gjithmonë njerëz me dinjitet dhe zotërinj. Askush nuk guxon t’i nënçmojë. Le të blejnë nga një zarf, t’i tërheqin ato pak para nga llogaritë dhe t’ia dorëzojnë kryetarit të komunës në sportel,” tha Ilievska.

​Deri në momentin e publikimit, Komuna e Manastirit nuk ka dhënë asnjë përgjigje nëse do të kërkojë nga Qeveria korrigjimin e përqindjes së dëmshpërblimit.

​Tërmeti i vitit 2022, me magnitudë 5.6 ballë të shkallës Rihter, shkaktoi dëme të shumta në shtëpi private, spitale, shkolla dhe kopshte, por duket se “goditja” e fundit financiare ka qenë më e rëndë për qytetarët sesa lëkundjet e tokës.