Irfani, berberi i Kumanovës, tetë vite i pafajshëm në burg

Irfan Lutfiu nga Lagja e Trimave në Kumanovë, tani më tetë vite po mbahet burgjeve të Maqedonisë për një vepër që nuk e ka bërë.

Familjarë të tij thonë për INA-n se Irfani padrejtësisht është dënuar sepse ai ishte civil dhe me profesion berber, e që as nuk ishte pjesë e Grupit të Kumanovës në ngjarjet e 9 majit të 2015 në Lagjen e Trimave në Kumanovë.

“Para datës 9 Majit 2015, Irfani ishte në sallonin e tij, duke ushtruar profesionin si berber. Asnjëherë në jetë nuk ka qenë i dënuar apo i përfshirë në ndonjë incident. Dosja e tij, është e pastër si loti. Djali im ka qenë i dashur dhe me humor të mirë me të gjithë”, thotë babai i tij, Liman Lutfiu.

Ai kërkon nga faktori politik i brendshëm dhe faktori ndërkombëtarë që ta ndihmojnë të zbardhet e vërteta dhe djali i tij të lirohet.

Të njëjtin mendim ndajnë familjarët dhe fqinjët e Irfanit. “Duket që është rast i montuar kundër tij. Irfani është i pafajshëm. Ai ka qenë berber i lagjes dhe i dashur me të gjithë. Nuk mbahet mend që ka pasur probleme apo telashe me ligjin, ndonjëherë në jetë”, thotë S. A nga Kumanova.

Tani kanë kaluar tetë vite dhe Irfani akoma nuk dihet se pse është në burg. Ai po vuan shumë nga kjo padrejtësi, ndërsa vuajtje të mëdha po përjetojnë edhe familja.

Nga këto vuajtje atij i ka vdekur nëna dhe po dëmtohet shëndeti i babait të tij.

Më e keqja dhe tragjikja është se Irfani nuk u lejua të marrë pjesë në varrimin e nënës. Autoritetet e burgut ja mohuan edhe këtë të drejtë.

“Nuk është e drejt, dikush blen drejtësinë me miliona euro, e dikush është viktimë”, thonë familjarë të tij. (INA)