Ushtria e Iranit ka paralajmëruar se do të “hapë fronte të reja” kundër SHBA-së nëse ajo rifillon sulmet ndaj vendit.
Zotimi vjen mes raportimeve se presidenti amerikan, Donald Trump, po shqyrton mundësinë e rifillimit të operacioneve ushtarake në Iran për shkak të bllokimit të negociatave.
“Nëse armiku është aq budalla sa të bjerë përsëri në kurthin sionist dhe të nisë një agresion të ri kundër Iranit tonë të dashur, ne do të hapim fronte të reja kundër tij, me pajisje dhe metoda të reja”, ka thënë zëdhënësi i ushtrisë Mohammad Akraminia, sipas agjencisë së lajmeve ISNA të Iranit.
Trumpi pritet të takohet të martën me këshilltarët e sigurisë kombëtare për të diskutuar opsionet për rifillimin e veprimeve ushtarake.
Të hënën ai ka njoftuar se po pezullonte një sulm të ri ndaj Iranit, me kërkesë të shteteve të Gjirit.
Bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit kanë ngecur pasi palët nuk po arrijnë të bien dakord për çështjet themelore, siç janë programi bërthamor i Iranit dhe Ngushtica e Hormuzit.



