Irani ka lëshuar një urdhër herët të enjten për të mbyllur hapësirën e tij ajrore, pa dhënë shpjegime.
Urdhri erdhi mes tensioneve të larta për shkak të shtypjes së përgjakshme të protestuesve gjatë protestave mbarëkombëtare, dhe mundësisë së sulmeve amerikane në përgjigje.
Faqja e internetit e gjurmimit të fluturimeve FlightRadar24.com vuri në dukje se bazuar në urdhër, hapësira ajrore e Iranit është mbyllur për më shumë se dy orë.
Ndërkohë, gjatë ditës së mërkurë është raportuar se SHBA-ja ka nisur të tërheq personel nga baza e saj ushtarke në Katar. Kjo bazë ishte sulmuar nga Irani edhe gjatë sulmeve të qershorit të vitit të kaluar nga SHBA-ja dhe Izraeli drejt Iranit.
Tërheqja është bërë pas paralajmërimit nga Irani se do të sulmonte bazat më të afërta nëse SHBA-ja vendos ta sulmojë atë si pasojë e protestave.
Presidenti Trump ka deklaruar se do të merrte “masa të forta” nëse Irani ekzekuton protestuesit.
Mirëpo, në një intervistë për Reuters të mërkurën, ai ka thënë se Irani kishte ndalur vrasjet.
Aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se më shumë se 2,500 persona janë vrarë nga shtypja e protestave mbarëkombëtare në Iran.
Protestat kanë nisur më 28 dhjetor si reagim ndaj inflacionit dhe rënies së vlerës së rialit.



